Protesta në Prishtinë kundër homofobisë
'Me homofoba nuk ka shtet', protestë para Kuvendit të Kosovës - VIDEO
Organizata për Barazi dhe Liri, Cel Kosova po proteston sot prej orës 12:00 para Kuvendit të Kosovës “për neglizhencën dhe refuzimin që të shtyhen përpara proceset për të drejtat e njeriut”.
Me moton “Homofob s’ki vend në Kuvend”, organizata bëri thirrje që të protestohet kundër homofobisë.
“Ju ftojmë t’i bashkohemi protestës para Kuvendit për të shprehur pakënaqësi ndaj neglizhencës dhe refuzimit për të shtyer përpara të drejtat e njeriut, për të gjithë personat pa dallim, që janë të garantuara me Kushtetutë!”, kanë thënë nga kjo organizatë.
Cel Kosova i janë gëzuar vendimit të djeshëm të Kuvendit për të mos kaluar Kodin Civil në gjendjen aktuale për shkak se nuk garanton barazi në të drejtën në martesë.
Sipas tyre, alternativa e ofruar në formën e partneritetit civil krijon paqartësi dhe nuk ofron zgjidhje për garantimin e të drejtës për jetë familjarë të komuniteteve LGBTIQ+.
Projektkodi Civil nuk ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, pasi 29 vota ishin kundër, 28 për dhe katër deputetë kanë abstenuar. Në sallë, në momentin e votimit ishin 77 deputetë nga 120 deputetë, por 16 prej tyre nuk morën pjesë në votim.
Pika që deputetët kishin mospajtime gjatë seancës të së mërkurës ishte neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.