Foto: ZKM
Me gjithë “paralajmërimet kërcënuese” të Dodikut, Kurti do të shkojë në Sarajevë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në konferencën që do të mbahet më 06.12.2024 në Sarajevë nën organizimin e organizatës joqeveritare “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur- Krug 99”, pavarësisht paralajmërimeve të Millorad Dodikut, se një vizitë e tillë do të paraqiste provokim për Bosnjë e Hercegovinën.
Pjesëmarrjen e Kurtit e ka konfirmuar për KALLXO.com organizatori i konferencës, Adil Kulenoviq, duke bërë të ditur se kryeministri kosovar do të jetë edhe folësi kryesor në sesion.
Duke iu përgjigjur deklaratave të presidentit të entitetit Republika Serbe, Millorad Dodik, i cili tha se vizita e Kurtit do të komplikojë ndjeshëm marrëdhëniet në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kulenoviq u shpreh se si organizatë nuk pajtohen me një qëndrim të tillë.
“Konfirmoj se zoti Kurti vjen në Sarajevë dhe do të jetë folësi kryesor në sesionin ‘Krug 99’. Kapaciteti shantazhues i Millorad Dodikut do të mposhtet dhe ne si organizatë joqeveritare nuk pajtohemi me një qëndrim të tillë për Bosnje-Hercegovinën”- ka thënë Kulenoviq.
Ai theksoi se ardhjen e Kurtit në Sarajevë e shohin në funksion të promovimit të paqes, e jo të prishjes së marrëdhënieve ndërshtetërore në rajon apo të destabilizimit të marrëdhënieve në BeH.
Edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka konfirmuar se Kurti udhëton për në Sarajevë më 05.12.2024, për të marrë pjesë në këtë sesion.
Ai tha se udhëtimi i kryeministrit ishte paraparë të ndodhte në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Samitin e Liderëve të Ballkamit Perëndimor dhe Bashkimit Europian që planikfikohej të mbahej në datat 04.12.2024 dhe 05.12.2024, mirëpo i njëjti tashmë është anuluar.
Megjithatë, Kryeziu shpjegoi se Kurti do të realizojë një vizitë të shkurtër në Sarajevë, me ç’rast pritet të takohet me përfaqësues të insititucioneve si dhe do të jetë pjesëmarrës në një organizim të organizatës joqeveritare “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur- Krug 99”.
“Ky udhëtim i kryeministrit në Bosnjë dhe Hercegovinë ishte paraparë të ndodhte në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që planifikohej të mbahej në datë 4 dhe 5 dhjetor në Neum. Për shkak disa problemeve të cilat tashmë i ka bërë të njohura organizatori, ky samit është anuluar. Megjithëkëtë, kryeministri do të realizojë një vizitë të shkurtër në Sarajevë, ku do të ketë takime me përfaqësues të institucioneve dhe përfaqësues politik, si dhe do të marrë pjesë në një organizim të organizatës joqeveritare “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”- ka thënë Kryeziu në një përgjigje për KALLXO.com.
Por, Dodik, siç raporton Tanjug ka thënë se ardhja e Kurtit në Sarajevë është një provokim.
“Ne nuk do të lejojmë që shqiptarët e asaj zone të hyjnë me letërnjoftim sepse kjo do të nënkuptonte një njohje të caktuar të të ashtuquajturës Kosovë. Në këtë drejtim kemi lajme se Kurti po arrin në Sarajevë. Kur kemi ndërhyrë dhe kemi thënë se do të ishte një shkas për probleme serioze mes nesh në BeH, ata pastaj erdhën me idenë që ndonjë organizatë joqeveritare ta ftojë atë [Kurtin] në një sesion”- ka deklaruar Dodik.
Në anën tjetër, nga data 01.01.2025, mbajtësit e dokumenteve të identifikimit të Bosnjë e Hercegovinës do të mund udhëtojnë për në Kosovë lirshëm.
Kështu ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në Samitin e Procesit të Berlinit më 14.10.2024.
Ai tha se Kosova merr këtë vendim njëanshëm, pasi Bosnjë dhe Hercegovina ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen që qytetarët e të dyja vendeve të lëvizin vetëm me letërnjoftime.
Në mënyrë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë në Bosnjë dhe Hercegovinë, kërkohet vizë e cila lëshohet vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe vetëm me nënshkrimin e ministrit të Punëve të Jashtme të vendit. Megjithatë, aplikimi për vizë nuk bëhet në Kosovë, por vetëm në Shkup, Beograd dhe në Podgoricë.
Kuvendi i Kosovës më 23.02.2023 ka ratifikuar Marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur në Kuvendin e Bosnjës dhe Hercegovinës. E njëjta është pritur të votohet më 23.01.2023 edhe në Këshillin e Ministrave në Bosnjë, por Këshilli e kishte shtyrë këtë pikë. Kjo marrëveshje është njëra prej tri sosh të arritura në Berlin më 3 nëntor 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Që të fillojë zbatimi i marrëveshjes duhet që dokumentet të ratifikohen në të dy parlamentet brenda 18 muajve. Sipas vendimit të Këshillit të ministrave të BeH nga viti 2012, qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë në këtë shtet si turistë.
Së fundmi, më 28.05.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit me Përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka rikujtuar rëndësinë që ka fillimi zbatimit të marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës. Të njëjtën çështje, Kurti e ka ngritur edhe gjatë Samitit në Kotor më 16 maj 2024.
Prej vitesh, heqja e vizave me Kosovën është kundërshtuar nga Millorad Dodik, i cili është në krye të Aleancës qeverisëse të Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD).