Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Me ftesë të Blinken, Gërvalla do të përfaqësojë Kosovën në një samit në ShBA

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla do të marrë pjesë në një samit në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gërvalla është ftuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken për të marrë pjesë në “Summit of the Americas”.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme, kjo është hera e parë që Republika e Kosovës përfaqësohet në ketë samit.

“Në marxhinat e këtij Samiti, ministrja Gërvalla do të zhvilloi takime bilaterale me zyrtarë të lartë shtetëror si dhe do të vazhdoj lobimin për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës”, ka njoftuar shefi i kabintetit të ministres Gërvalla, Sharr Jakupi.

Në ftesën e Blinken për ministren Gërvalla, thuhet se samiti do të mbahet nga 8 deri më 10 qershor 2022.

Në ShBA, ministrja Gërvalla kishte udhëtuar edhe në prill të këtij viti, për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.

Muajve të fundit, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar vizitë disa javore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.