Me ftesë të Biden, Osmani përfaqëson Kosovën në Samitin e Dytë për Demokraci

Me ftesë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të përfaqësojë Kosovën në Samitin e Dytë për Demokraci, të organizuar sot virtualisht nga Shtëpia e Bardhë.

Sipas një komunikate nga Presidenca, në një seancë plenare, e cila do të zhvillohet në orën 15:00, Osmani do të jetë folëse krahas liderëve botërorë si presidenti të Francës, Emmanuel Macron, kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, kryeministrit të Suedisë, Ulf Kristersson, kryeministres së Islandës, Katrin Jakobsdottir, presidenti të Kolumbisë, Gustavo Petro, si dhe krerëve të  shtetesh e qeverive nga Zambia dhe Bahamas.

Në njoftim bëhet e ditur se Samiti për Demokraci do të hapet nga Biden në orën 12:00 dhe do të bashkojë vendet në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato.

“Republika e Kosovës, përgjatë vitit që shkoi, ka arritur suksese të rëndësishme në të tri zotimet të cilat kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore”- thuhet në komunikatën e Presidencës.

Më tej, në komunikatë thuhet se, Presidenca e Kosovës, si institucion udhëheqës në Kosovë përgjatë “Vitit të Veprimit”, në kuadër të Samitit për Demokraci, është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkudhëheqë me grupin tematik për sundim të ligjit.