"Më e keqja nuk ka ardhur akoma", Putin i thotë Macronit se do ta vazhdojë luftën në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin i tha homologut të tij francez Emmanuel Macron se ai do t’i vazhdojë operacionet ushtarake në Ukrainë.

Biseda telefonike ka zgjatur 90 minuta dhe ishte iniciuar nga Putin, tha një burim i Pallatit Élysée.

“Kjo bisedë është, për fat të keq, një rast për ta dëgjuar se Presidenti Putin do të vazhdojë ndërhyrjet me ushtarake dhe do t’i shkojë deri në fund”, tha burimi.

“[Thirrja] i lejoi Presidentit të Republikës t’i kthehej mosmarrëveshjeve që kemi me Rusinë, të kërkonte alternativë diplomatike ndaj operacioneve ushtarake, t’i tregonte të vërtetën Presidentit Putin për mënyrën se si ne e shohim luftën e tij në Ukrainë, por edhe pasojat që do të ketë për Rusinë në terma afatgjatë”, vazhdoi burimi.

Burimi i Elysée tha se “më e keqja nuk ka ardhur ende” në Ukrainë pas telefonatës së Macron me Putinin.

“Pa bërë një parashikim, ne duhet ta presim më të keqen që pritet të ndodhë. Presidenti (francez) tha kështu edhe dje. Nuk ka asgjë në atë që tha Putin sot që duhet të na bëjë të qetë”, tha burimi.

Ndërkohë, agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS tha se Putin dhe Macron kishin “një shkëmbim të sinqertë pikëpamjesh mbi situatën rreth Ukrainës”, tha të enjten shërbimi për media i Kremlinit.

Një raport nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA-Novosti tha se diskutimi ishte i vështirë, me Putinin që pretendonte se Ukraina kishte kryer një “sabotim shtatë-vjeçar” të marrëveshjeve të Minskut, një proces paqeje që përfundimisht përfundoi nga qeveria ruse përmes njohjes së kësaj të fundit të dy republikave separatiste në lindje të Ukrainës.

Të dyja palët ranë dakord ta mbanin mundësinë e dialogut të hapur, sipas rusëve dhe francezëve.

Raporti i RIA shtoi se Putini e paralajmëroi Perëndimin se nëse negociatat ruso-ukrainase zvarriten, atëherë Moska do të ketë kërkesa të reja ndaj Kievit dhe se detyrat e “operacionit ushtarak special” – eufemizmi i Rusisë për luftën e saj në Ukrainë – do të kryhen me çdo kusht.

Sipas burimit të Elysée, Putin gjithashtu mohoi ta kishte bombarduar Kievin dhe paralajmëroi se situata do të përkeqësohet, por faji për këtë i mbetet Ukrainës.

Në përgjigje, Macron e paralajmëroi Putinin se ai po bën një gabim të madh, sipas burimit. Macron përsëriti se kërkesat e Moskës për neutralizimin dhe çarmatimin e Ukrainës janë të papranueshme dhe përgjegjësia e këtij konflikti bie tërësisht mbi Putinin.

Por Macron tha gjithashtu se ka ende kohë për diplomaci dhe dialog për t’i adresuar shqetësimet e Rusisë dhe për t’i përfshirë interesat e Rusisë; megjithatë, diskutimi nuk mund të ndodhë “nën kontrollin rus” dhe duhej të organizohej nga partnerë ndërkombëtarë, sipas burimit.

Macron gjithashtu i kërkoi Putinit ta respektojë presidentin ukrainas, familjen e tij, të afërmit, zyrtarët shtetërorë dhe përfaqësuesit e zgjedhur, sipas burimit.

Pas telefonatës së tij me Putinin, Macron foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala