Komuna e Graçanicës.

Me cilat probleme përballen qytetarët e Graçanicës e cila është përformanca komunale?

Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Liljana Shubariq, e cila vjen nga Lista Serbe, nuk ka pranuar të jetë pjesë e debatit “Jeta në Komunë” përballë Asamblesë Komunale. Në vend të saj, nënkryetari i kësaj komune, që vjen nga radhët e LVV-së, Leotrim Ajeti, ishte pjesë e intervistës përballë Jeta Xharrës, për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për t’u përballur me problemet e ngritura nga qytetarët e Graçanicës. Nënkryetari Ajeti mosprezencën e kryetares Liljana Shubariq e arsyetoi me agjendën e ngjeshur të saj.

Pas kësaj nënkryetari foli për një varg projektesh që ai i vet i kishte premtuar e për të cilat është krenar. Premtimi i parë për çka ai është krenar është linja Prishtinë-Graçacinë-Kishnicë që është mundësuar me bashkëpunimin e Komunës së Prishtinës.

“E para është vija e autobusit Prishtinë-Graçanicë-Kishnicë e realizuar bashkë më kryetarin e komunë së Prishtinës Përparim Rama i cili ju ka lehtësuar në masë të madhe qytetarëve lëvizjen drejt kryeqytetit” – tha nënkryetari Ajeti.

Nënkryetari përmendi edhe projektin e ujësjellësit për fshatin Kishnicë të cilin e kishte premtuar për banorët e kësaj zone pas kërkesave të tyre ta kahmotshme.

“Një kërkesë tjetër që ka qenë e jashtëzakonshme nga qytetaret në Kishnicë është ndërrimi i gypave të asbestit dhe kyçjet individuale tani veç janë duke vazhduar, ky projekt është financuar nga Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me komunën” – tha Ajeti.

Investimet në infrastrukturën rrugore që u bënë nga buxheti i Qeverisë së Kosovës për nënkryetarin Ajeti është një kontribut tjetër që ka dhënë gjatë mandatit të tij për përmirësimin e jetës së qytetarëve në Graçanicë.

Derisa nënkryetari foli për projektet që u realizuan në infrastrukturën rrugore, Ajeti u ballafaqua me ankesat që kanë bërë qytetarët e kësaj komune për rrugën që lidhë Graçanicën me fshatin Llapnasellë. Kjo rrugë që lidhë Graçanicën me fshatin Llapnasellë është shtruar kohën e fundit, mirëpo tani veç së kanë filluar të krijohen gropat e para.

Ndërkaq, kryetari tha së kjo rrugë është në gjendje të mirë, pavarësisht pamjeve të rrugës që janë filmuar nga ekipi i “Jeta në Komunë” që tregojnë gropat e krijuara.

“Kjo është shtru tani vonë edhe është në gjendje të mirë, pak ma herët erdha asaj rruge nëse është ajo rrugë që po mendoj unë” – tha Leotrim Ajeti.

Gjithashtu, në fshatin Llapnasellë të Graçanicës ka telashe edhe me rrjetin e kanalizimit, madje këtë e konfirmoi edhe vetë nënkryetari.

“Më këtë çështje jam marrë edhe unë, në këtë ndërlidhen edhe dy komuna të tjera, Prishtina dhe Fushë Kosova. Për këtë ju kam dërguar email komunës së Prishtinës dhe Fushë Kosovës që me ardh edhe me e fillu me e zgjidhë këtë çështje sepse është një prej problemeve me të mëdha në komunën e Graçanicës, pra kundërmimi i kanalizimit në Llapnasellë” – është shprehur Ajeti.

Ndërsa, jeta akoma më sfiduese në këtë komunë është për komunitetin rom të cilët vazhdojnë të mos kenë kushte të mira për jetesë dhe mungon ofrimi i mundësive të punësimit për këtë komunitet.

Fatkeqësisht për tri vite mandat sa kanë kaluar tani të pushtetit në Graçanicës, Ajeti ka thënë se ende nuk është punësuar asnjë person nga komuniteti rom.

“Qe sa punoj unë në komunë nuk është punësuar asnjë, personalisht nuk merrem më konkurse. Unë kam bërë kërkesë në Minstrinë e Financave që të punësohet një përkthyes dhe aq sa di është në proces që në të ardhmen të punësohet një përkthyes për gjuhën rome” – është shprehur Ajeti.

Ndërsa pak më shumë për komunitetin rom u punua në përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

“Personalisht për komunitetin rom, me mjetet që i kam siguruar e kemi shtruar rrugën kryesore në lagjen e romëve po presim edhe dy rrugë tjera në atë lagje me i shtru vitin tjetër në pranverë, pastaj edhe në Prehocë një rrugë tjetër si dhe të varrezat që është një kërkesë e kamotshme e komunitetit rom edhe kjo do të përfundojë vitin tjetër” – tha nënkryetari i Graçanicës.

Mirëpo për dallim së në infrastrukturën rrugore për këtë komunitet është bërë diçka, komuniteti rom nuk mund të pajiset më dokumente në gjuhën e tyre dhe sipas nënkryetarit kjo nuk po mund të bëhet për shkak të volumit të lëndëve në komunë.

Problem tjetër shqetësues për banorët e kësaj komune janë edhe qentë endacakë e që janë të shumtë e për këtë sipas nënkryetarit është menduar të bëhet një zgjidhje e përbashkët me Komunën e Prishtinës.

“Në marrëveshjen që e kemi nisë më Komunën e Prishtinës është paraparë edhe zgjidhjen e problemit me qentë endacakë, unë po pres që se shpejti do të kemi takime për zgjidhjen e qenve endacakë” – tha nënkryetari Ajeti.

Ndërsa në fund të debatit, nënkryetari Leotrim Ajeti premtoi se do vazhdojnë investimet në infrastrukturën rrugore duke përfshirë këtu disa fshatra që kanë nevoja të tilla.

“Vitin tjetër do të vazhdojë shtrimi i rrugëve në fshatin Uglarë, pastaja në Radevë ku ka shqiptarë, serbë dhe ashkali, në Lepi do të ketë po ashtu asfalt” – ka thënë Ajeti

Problem tjetër lehtë i identifikueshëm për ekipin e KALLXO.com ka qenë edhe cilësia e punimeve në rrugët dhe trotuaret e kësaj komune.

Rruga dhe trotuaret që të çojnë në qendër të komunës janë parë të jenë të dëmtuar e krejt kjo si shkak i cilësisë së dobët të punimeve.

Probleme kishte edhe me ndriçimin e hapësirave publike si dhe mirëmbajtjen e shtyllave të ndriçimit.

Planifikimi i buxhetit për vitin 2025 në Komunën e Graçanicës është projektuar së pjesa më e madhe do të shkojë në investimet e infrastrukturës rrugore, ndriçim dhe në rregullimin e lumit, i cili kalon nëpër qytet.

Pasqyrë e asaj së si u qeveris me Komunën e Graçanicës është edhe raporti i Performancës nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe raporti i Auditorit.

Raporti i Performancës në fusha të caktuara ka vlerësuar së Komuna e Graçanicës nuk ka punuar mjaftueshëm në përmirësimin e kritereve që kërkon kjo ministri për të qenë përfitues të Grantit të Performancës. Në vendin e 22-të është renditur Komuna e Graçanicës sa i përket mbrojtjes së ambientit, ndërsa zero pikë vlerësim ka marrë në funksionalizimin e transportit publik. Raporti i Performancës tregon se punët akoma me keq Graçanica i ka sa i përket barazisë në punësim e për këtë është vlerësuar me pozitën e 32-të.

Ndërsa në kujdesin parësor shëndetësor Komuna e Graçanicës ka marrë zero pikë në Raportin e Performancës.

Indikator i rëndësishëm që tregon për qeverisjen e kësaj komune është edhe raporti i Auditorit, në të cilin ishin evidentuar disa gjetje.

Auditori gjeti se në 20 raste punëtoret e arsimit ishin angazhuar të kryenin punë në komunë, ata nuk ishin sistemuar sipas kontratës së punës, por përmes vendimeve ishin risistemuar brenda ekzekutivit lokal si zyrtare e asistent për zhvillimin ekonomik, inspektorë e zyrtarë administrativë për kulturë me arsyetimin së është rritur volumi i punëve.

Në një rast tjetër auditori gjeti se komuna aplikoi zbritje në pagesat e tarifave për qiratë e objekteve komunale.

Në tri raste sipas auditorit ishte aplikuar zbritja prej 20% , por pa u plotësuar kriteret për zbritje.

E si pasojë e kësaj, komuna gjatë vitit 2023 pati të hyra të ulëta.

Telashe edhe më të mëdha u konstatuan në dhënien e tenderëve nga Komuna e Graçanicës.

Auditori konstatoi së një tender iu dha një operatori ekonomik me çmime normalisht të ulëta pa dhënë shpjegime mbi bazën e çmimeve.

Ky tenderi ishte për “Rehabilitimin e rrugëve dhe urave” në komunën e Graçanicës.

Parregullsi Auditori në Komunën e Graçanicës gjeti edhe në vitin 2022.

Vonesat në dhënien e lejeve ndërtimore ka qenë njëra nga parregullsitë që Auditori ka identifikuar.

Ndërkaq, nënkryetari nuk dha një arsyetim se pse Komuna e Graçanicës nuk ka rezultate të mira në Raportin e Performancës dhe Auditorit.

Linkun e intervistës me nënkryetarin e Graçanicës, Leotrim Ajeti e gjeni këtu.