Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Me cilat parti do të bëjnë koalicion Ilir Ferati e Bekë Berisha?

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Istogut, kanë treguar në “Debat Përnime” se me cilat parti do të bëjnë koalicion për balotazhin e 14 nëntorit.

Sipas asaj që kanë deklaruar në debat, dy partitë e balotazhit nuk kanë vendosur asnjë vijë të kuqe për asnjë parti që ka kandiduar në zgjedhjet lokale.

Ilir Ferati nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se deri më tash nuk kanë lidhur asnjë koalicion, ndërsa kanë biseduar me LVV dhe PDK-në.

“Koalicioni i parë është lidhja me qytetarin, jam i hapur për koalicion me partitë dhe na duhet për shkak se nuk e kemi shumicën. Kam biseduar edhe me Lëvizjen Vetëvendosjes dhe Partinë Demokratike të Kosovës. Ata po presin nga qendra që me kriju një marrëveshje”, ka thënë Ferati.

Në anën tjetër Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se tashmë kanë arritur një marrëveshje me Iniciativën Qytetare ‘Bashkë për Istogun’, kurse me partitë e tjera janë ende në pritje të përgjigjeve.

“Është i domosdoshëm koalicioni. Unë ju kam ofru partive opozitare se opozita i ka 60%. Me z. Blakaj jemi marrë vesh, me Vetëvendosjen e kishin vendimmarrjen më ndryshe se këta me pasë nevojë për spital këta po të lenin herë anej e herë knej. Ju kam dërguar letër e kam qëndruar me ta, por s’po kthenin përgjigje. Unë asnjëherë nuk pres me më tregu qendra për Istogun sepse duhet ta ndjejmë veten përgjegjës për Istogun”, ka thënë Berisha.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Istogut po diskutojnë në “Debat Përnime” për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në emision janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Istog:  Ilir Ferati nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LDK-së, Ilir Ferati ka siguruar 41,09 për qind të votave, kurse Bekë Berisha nga AAK, ka marrë  26,49 për qind.