Arban Abrashi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Me çfarë note e vlerëson Arban Abrashi marrëveshjen në Uashington

Anëtari i delegacionit të Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, Arban Abrashi, e ka vlerësuar me notë 10 marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.

“Notën 10 e ka kjo marrëveshje, përkundër që kam pasë hala ide tjera dhe kemi prezantu ide tjera, besoj që kur vjen delegacioni i atyre koorporatave që kanë mi menaxhu ato projekte do të nxjerrim edhe projekte shtesë”, ka thënë Abrashi përballë Jeta Xharrës.

Sipas tij, me këtë marrëveshje do të përfitojnë edhe bizneset e Kosovës si dhe do të zhvillohet ekonomia e vendit.

“Jam i kënaqur nese këto që janë zotime, kalojne në Kosovë dhe implementohen, unë mendoj që e ndryshon lojën si zhvillohet ekonomia dhe biznesi në Kosovë”, shtoi ministri i Infrastrukturës.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar më 4 shtator marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Me këtë marreveshje, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Po ashtu, aty parashihet që Kosova dhe Serbia të përshpejtojnë përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar mbetet e personave të humbur si dhe thuhet edhe se Kosova dhe Izraeli e pranojnë njëra tjetrën, dhe se Serbia do ta zhvendos ambasadën nga Tel Aviv në Jerusalem.