Kryeministri Albin Kurti pret me ceremoni shtetërore homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski
Me ceremoni shtetërore, kryeministri Kurti priti homologun maqedonas Mickoski
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur me ceremoni shtetërore homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski, për të vazhduar më pas me takimet në kuadër të mbledhjes të përbashkët ndërqeveritare.
Mickoski është pritur me intonimin e himneve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut nga Garda Ceremonciale e Forcës të Sigurisë së Kosovës.
Në të njëjtin varg me ministrat e Qeverisë të Kosovës, u rreshtuan ministrat e Maqedonisë së Veriut. Pas pritjes u realizua edhe fotografia familjare mes dy kabineteve qeveritare.
Gjatë mbledhjes pritet të nënshkruhen marrëveshje bilaterale mes dy vendeve fqinje. Deri më tani janë paralajmëruar dy marrëveshje, njëra në fushën e energjisë dhe tjetra për lehtësira në lëvizjen e lirë në pikat kufitare.
Mbledhja ndërqeveritare po mbahet në “Grand Events” në magjistralen Prishtinë- Mitrovicë. Pritet të zgjasë deri në orën 16:00, me të gjitha aktivitetet e parapara.
Pas këtyre aktiviteteve do të ketë takim bilateral ndërmjet dy kryeministrave dhe takime bilaterale ndërmjet ministrave të qeverive.
Në mesditë është planifikuar takimi ndërqeveritar/ G2G ndërmjet Qeverive të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Pas takimit, do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjeve bilaterale, që do të pasohet me një konferencë të përbashkët për shtyp nga dy kryeministrat.
Në këtë mbledhje ndërqeveritare pritet të nënshkruhen marrëveshje të ndryshme mes ministrive, dy prej të cilave janë miratuar në Qeverinë e Kosovës.
E para ka të bëjë me lidhjen e protokollit për pika të përbashkëta të kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut si dhe lidhjen e memorandumit mes dy vendeve në sektorin e energjisë.
Bëhet fjalë për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë.
Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me lidhjen e një memorandumi për energjinë, politikat dhe strategjitë mes dy vendeve në këtë fushë.
Për këtë të dytën pritet lidhje e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Sektorin e Energjisë në përputhje me politikat dhe strategjitë e tyre.
Ky është takimi i dytë mes dy qeverive në tri vitet e fundit, anipse kësaj radhe në krye të Maqedonisë së Veriut është kryeministri i ri.
Herën e fundit që dy qeveritë kanë mbajtur mbledhja ishte më 16.09.2021 – atëkohë në Maqedoni të Veriut kryeministër ishte Zoran Zaev.
Në atë mbledhje ishin nënshkruar disa memorandume bashkëpunimi dhe marrëveshje.
Edhe pse kanë kaluar tri vite, ende të gjitha marrëveshjet e mbledhjes së kaluar nuk janë zbatuar në plotni.
Atëkohë kryeministrat e të dy qeverive dhe ministrat dikasterial i nënshkruan një sërë memorandumesh dhe marrëveshjes në fusha të ndryshme që nga infrastruktura e deri te ato në fushën e inovacionit.