
Pamje nga opera ‘King Lear’. Foto: KALLXO.com.
Me atlete dhe veshje të zakonshme luhet në Prishtinë opera "King Lear"
Premiera e operës, “King Lear” (Mbreti Lir) e kompozitores Zoe Hippius është dhënë të mërkurën më 16.10.2024, në kuadër të edicionit të 7-të festivalit “Prishtina International Vocal Festival” (PriVocalFest) në Prishtinë.
E interpretuar në gjuhën angleze nga një grup këngëtarësh të rinj, kjo operë me dy akte është mbështetur në tragjedinë e dramaturgut anglez, William Shakespeare, po me të njëjtin titull, “King Lear”.
Ashtu edhe sikurse në tragjedia shekspiriane, edhe në opera “King Lear” e Hippius, shpërfaq smirën, tradhtinë dhe luftën për pushtet të Mretit Lir dhe vajzave të tij, por edhe tradhtinë e djemve të Earl-it të Gloucesterit.
Por, për dallim nga tradita klasike, kompozitorja Hippius ka sjellë një version krejt origjinal dhe modern të kësaj opere. Me muzikë virtuale, pa ndonjë skenografi, me fytyra të maskuara e llampa në ball, këngëtarët kanë interpretuar me veshje të zakonshme e atlete sportive. Me tekste e iPad në duar, protagonistët e kësaj opere për më se një orë treguan se edhe në skenën kosovare po vjen një epokë e re e interpretimeve operistike.
Jo pak i befasuar, publiku ka duartrokitur në fund të shfaqjes idenë e kompozitores Hippius dhe interpretimin e këngëtarëve. Stafi i shfaqjes është përgëzuar edhe nga kryeministri Albin Kurti, i cili ishte i pranishëm në sallë. Madje, pak orë më pas, përmes një postimi në Instagram, kryeministri Kurti ka përgëzuar stafin e shfaqjes dhe të “PriVocalFest”-it.
“Sonte (16.10.2024) u performua opera bashkëkohore ‘Mbreti Lear’ nga Zoe Hippius në edicionin e 7-të të PriVocal Fest në Prishtinë, me një orkestër virtuale të regjistruar më parë dhe këngëtarë në skenë. Falënderojmë drejtorin e festivalit Hajrullah Syla, kompozitoren dhe regjisoren Zoe Hippius, si dhe të gjithë artistët e përfshirë. Urojmë zhvillimin e mëtejshëm të operës në Kosovë dhe edicion të mbarë ‘PriVocalFest’ këtë vit. Pasioni dhe talenti i të rinjve tanë na mbush me gëzim dhe shpresë”- ka shkruar kryeministri Kurti në Instagram.
Të veçantat e shfaqjes
Besa Luzha, profesoreshë e muzikës në Universitetit e Prishtinës, tha në një prononcim për KALLXO.com, se shfaqja pati një subjekt interesant nga literatura angleze, për personalitetet si Mbreti Lir (Lear), me motive shekspiriane, si tradhtia mes vëllezërve, lufta në mes të babait dhe vajzave për trashëgiminë, etj.
“Dhe kjo është sjellë nga kompozitorja e re Hippius, në një stil të veçantë, në një të kënduar jo klasike siç e kemi menduar ne operën, glamuroze, etj., por një këndim me muzikës e asaj kohe angleze, përzier me elemente moderne”- tha profesoresha Luzha.
Ndërsa, sopranoja Adelina Paloja tha për KALLXO.com se opera e kompozitores Hippius solli një frymë të re të operës jo tradicionale.
“Ishe një tendencë, mendoj pozitive për të sjellë edhe në Kosovë frymën e operës jotradicionale që tashmë jemi mësuar ta dëgjojmë, dhe Zoe Hippius, është kurora e gjithë kësaj pune. Natyrisht, gjatë kësaj opere pamë dhe dëgjuam disa këngëtarë të rinj, të cilët kanë kapacitete për t’iu rrekur edhe veprave tjera “-ka thënë sopranoja Paloja.
Edicioni i 7-të i “PriVocalFest” ka nisur më 14.10.2024. Deri në mbyllje të festivalit do të ketë edhe disa mbrëmje tjera muzikore. Nata e tretë e këtij festivali, më 18.10.2024, është rezervuar për gjeneratën e re (Young generation), me pjesëmarrjen e zërave të rinj, pjesëmarrës të përzgjedhur nga masterklasa e udhëhequr nga Raúl Giménez.
Më 19.10.24, do të mbahet koncerti “He is someone on earth” me Albane Carrere, mexosopranon e cila prezantohet me një program të pasur me vepra të kompozitorëve si L. Berio, H.Tomasi, M. Ravel, B. Britten etj., e shoqëruar nga Andi Duraku, piano dhe Donjeta Cërmjani, violonçelo.
Kurse, në natën përmbyllëse, të pestën, më 20.10.2024, shfaqet koncerti “12 months” i korit “Pro Ars” nga Maqedonia e Veriut.
Të gjitha koncertet e edicionit të 7-të të “PriVocalFest” do të mbahen në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, nga ora 19:00 në Prishtinë.


