Foto: Policia e Kosovës
Me aktivitete të ndryshme shënohet 25-vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës
Me aktivitete të ndryshme është shënuar më 04.09.2024 25-vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës.
Aktivitetet janë organizuar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Në këtë përvjetor kanë parakaluar njësi të forcave policore e janë ekspozuar mjete me të cilat operon Policia e Kosovës.
Në kuadër të kësaj feste kishte edhe aktivitete argëtuese për fëmijët.
I pranishëm ishte edhe kryeministri, Albin Kurti, i cila tha se e ardhmja është te fëmijët.
“Ju jeni edhe e tashmja, edhe e ardhmja e vendit tonë”- ka thënë kryeministri Albin Kurti.
Kurti uroi Policinë e Kosovës për 25-vjetorin e themelimit.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për ndër të kësaj dite tha se secili nga ne në një mënyrë apo tjetrën jeton jetën e një polici.
“Realisht një pjesë e këtyre fëmijëve janë edhe pjesëtarë të këtyre familjeve, do të thotë në një mënyrë apo tjetër e jetojnë jetën e një polici”- tha Sveçla.
Kurse, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se Policia e Kosovës ka ngritur kapacitetet dhe ka fituar besimin e qytetarëve.
“Po festojmë këtë përvjetor, jemi rritur si Polici, kemi zhvilluar kapacitete por mbi të gjitha mendoj që kemi arritur ta fitojmë dhe ta mirëmbajmë besimin e qytetarëve me forcën tonë policore e kjo është gjëja më e madhe, sepse ne jemi Polici e këtij populli, i shërbejmë të gjithë qytetarëve pa dallim” – shtoi Gazmend Hoxha.
Zyrtarja policore, Merita Kadriu, për KALLXO.com tha se për nder të kësaj dite kanë organizuar aktivitete të ndryshme, duke përfshirë edhe për fëmijët.
“Sot aktivitetet janë të ndryshme duke filluar nga kopshtet që kanë pasur një recitat, më pastaj kemi me vazhdu me shkollën “Qamil Batalli”, me disa recitale të ndryshme, me aktivitete basketbollistike, ku kemi edhe performancën e disa njësive tona policore në vazhdimësi”- tha Merita Kadriu.
Sipas zyrtares policore, të gjitha këto aktivitete kanë për qëllim që fëmijët të jenë më të lirë me zyrtarët policorë.
“Për fëmijët të ndjehen sa më të lirë dhe të afërt me uniformën dhe zyrtarë policorë, që të mos kenë frikë nga ne dhe gjithmonë në të ardhmen të jemi më të afërt për çdo problem dhe telashe të tyre”- vazhdoi Kadriu.
Merita Kadriu theksoi se qëllimi i Policisë është që çdoherë të jetë sa më e afërt me komunitetin.
Togeri Shukri Islami nga Njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive si dhe njësive së dronëve dhe antidronëve, në një bisedë me KALLXO.com ka treguar se mjetet të cilat janë të ekspozuar janë mjetet me të cilat operon kjo njësi.
Ai foli për bllokuesin e frekuencës ose frekuencave, që përdoret në raste të caktuara.
Togeri Islami ka treguar po ashtu se Njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive ka një robot me të cilin operon për raste të dyshuara për mjete të rrezikshme.
Po ashtu në këtë aktivitet janë shpalosur edhe veshjet mbrojtëse, të cilat, sipas Islamit, janë të teknologjisë së fundit.