Më 28 qershor fillon ‘Java e Krenarisë 2021’
Që nga data 28 qershor deri më 1 korrik do të zhvillohet ‘Java e Krenarisë 2021’ në Kosovë.
‘Java e Krenarisë’ do të përfshijë disa aktivitete të organizuar nga Prishtina Pride, kurse më 1 korrik do të mbahet Parada e Krenarisë nga komuniteti LGBTI+.
Kjo paradë do të fillojë në ora 11:30 nga sheshi “Skënderbeu” dhe do të përfundojë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë duke u përmbyllur me një festë, njoftojnë organizatorët.
Sipas Prishtina Pride, përmes aktiviteteve përgjatë Javës së Krenarisë, synohet fuqizimi i personave LGBTI+ për t’u përballur me siç thonë ata diskriminimin e përditshëm në Kosovë.
“Java e Krenarisë edhe këtë vit do të adresojë çështje të gjendjes aktuale të personave LGBTI në shoqërinë kosovare, e cila vazhdon të mos i trajtoj personat LGBTI si të barabartë. Gjithashtu, Parada e Krenarisë synon të fuqizoj personat LGBTI për t’u përballur me diskriminimin e përditshëm në Kosovë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Motoja e Javës së Krenarisë për këtë vit është: “Bashkë dhe Krenarë.”
“Përmes sloganit “Bashkë dhe Krenarë” bëjmë thirrje për solidaritet, barazi, drejtësi dhe ndryshim shoqëror. Bashkë – sepse qëllimi jonë është të qëndrojmë Bashkë ndaj çdo sfide, e vetëm të bashkuar mund të arrijmë të krijojmë një shoqëri të barabartë dhe të dinjitetshme, në të cilën mund të jetojmë Krenarë”, thuhet më tej.
Organizatorë janë Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) dhe Qendra për Liri dhe Barazi (CEL) me organizatat partnere Civil Rights Defenders (CRD) dhe Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS).
Organizatorët po ashtu kanë ftuar institucionet, përfaqësuesit e shoqërisë civile, aktivistët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës të bashkëngjiten në Paradën e Krenarisë.
Ky është viti i pestë me radhë që Kosova po organizon Paradën e Krenarisë.