Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Me 24 shkurt mbahet seanca e Speciales për Haradinajn e Gucatin

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se me 24 shkurt do të mbahet seanca për dy krerët e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Kjo seancë pritet të jetë seancë lidhur me ecurinë e çështjes.

Kjo është seanca e tretë kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt pas ngritjes së aktakuzës.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen se në prill dhe shtator 2020, bënë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së dhe inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa persona të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.