Më 21 janar debat publik për pajisjen me leje mjedisore të Tulltores në Landovicë

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se së bashku me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Tulltoren në Landovicë do të organizojnë debat publik për pajisje me leje mjedisore të integruar për Tulltoren.

Sipas njoftimit të Komunës, debati do të mbahet më 21 janar në ora 12:00, në hapësirat e restorant KAG Oil.

Tulltorja është fabrikë që merret me prodhimin e bllokave dhe produkteve nga argjila.

Sipas Ligjit për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes kompania duhet t’i plotësojë disa kushte që të pajiset me leje mjedisore te integruar.

Në këtë rast, Tulltorja duhet të garantojë një nivel të lartë të mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit të njeriut, të minimizojë ndotjen ndërkufitare dhe atë në distanca të gjata, të sigurojë mbrojtjen e larmisë biologjike dhe peizazhore, ajrit, ujit, ujërave nëntokësore dhe dheut, të minimizojë mbeturinat dhe të garantojë menaxhimin e duhur të mbeturinave e shumë kushte të tjera të mbrojtjes së ambientit nga ndotja.