Ilustrim

Me 20 miliardë dollarë armatim, SHBA-ja synon ta ndihmojë Izraelin dhe ta neutralizojë Iranin

Për muaj me radhë, administrata amerikane ka pritur që ta aprovojë zyrtarisht ujdinë prej 20 miliardë dollarësh që t’i shesë Izraelit armatim, përfshirë bombarduesit F-15 dhe raketat me rreze të gjata veprimi, shkruan “New York Times”. Njoftimi zyrtar dërguar Kongresit është kryer më në fund javën e kaluar – pak para se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të fluturonte drejt Izraelit në përpjekje për të arritur një marrëveshje për armëpushim me “Hamasin”.

Pothuajse asnjë nga armët – që përfshin edhe municion tankesh, makineri taktike dhe mortaja – pritet t’i dërgohen Izraelit së paku gjatë viteve të ardhshme. Por vonesa për ta aprovuar tregon baraspeshën e ndjeshme me të cilën përballet administrata midis mbështetjes së Izraelit në luftën e tij në Gazë dhe reagimin ndaj zemërimit në Shtetet e Bashkuara për shkak të numrit masiv të viktimave në atë luftë.

Shtëpia e Bardhë është munduar të frenojë kundërshtimin e brendshëm në Kongres për shkak të armatosjes së Izraelit, duke u munduar njëherësh të mos lejojë që lufta kundër “Hamasit” të përhapet në një konflikt të gjerë rajonal.

“Ne e njohim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten nga terrorizmit dhe kërcënimet e tjera të sigurisë, përkitazi me të drejtën ndërkombëtare”, është thënë në një deklaratë të Departamentit të Shtetit. “Ne do të vazhdojmë të bëjmë çmos që të sigurohemi që Izraeli të mund të mbrojë veten kundrejt këtyre kërcënimeve me të cilat po përballet”.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Shtëpia e Bardhë po shqyrton një mori faktorësh – përfshirë zhvillimet e përditshme në Gazë, vizitën e muajit të kaluar të kryeministrit Benjamin Netanyahu në Uashington dhe shqetësimet për hakmarrje nga Irani dhe grupet e tij besnike, sidomos pas vrasjes së liderëve të njohur të “Hamasit” dhe “Hezbollahut” për të vendosur se kur duhej të aprovohej zyrtarisht pakoja e armëve.

Koha dhe njoftimi gjithashtu kishin për qëllim që pjesërisht të shmangin përplasjen e ashpër në Kongres në kohën kur administrata e Bidenit po mundohet të ndërmjetësojë një marrëveshjeje armëpushimi. Kongresi nuk ka seancë gjatë muajit, dhe afati prej pesëmbëdhjetë ditësh për ta bllokuar nga kongresistët skadon javën e ardhshme, shkruan gazeta njujorkeze.

Bradley Bowman, ish- zyrtar i lartë ushtarak amerikan dhe ekspert i njohur i sigurisë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, grup kërkimi në Uashington, ka thënë se Shtëpia e Bardhë po llogarit se njoftimi i shitjes së armëve mund të ketë efekt të menjëhershëm neutralizues.

“Ne po dërgojmë fuqi të jashtëzakonshme luftarake në rajon për neutralizuar një luftë më të gjerë rajonale, dhe po themi se ne do t’i dërgojmë kapacitete jetike Izraelit gjatë viteve të ardhshme”, ka thënë ai. “Ky është një mesazh i rëndësishëm nga fuqia ushtarake udhëheqëse e botës, derisa Izraeli po konfrontohet me kërcënime të jashtëzakonshme”.

Lufta në Gazë – dhe si ajo ka ndarë publikun amerikan – ka spikatur procesin teknik dhe normalisht të gjatë me të cilin prodhuesit amerikanë të armëve ua shesin armët qeverive të huaja.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com