Haxhi Shala

Më 14 nëntor jepen fjalët hyrëse në gjykimin ndaj Haxhi Shalës dhe dy të tjerëve në Gjykatën Speciale

Më 14 nëntor 2024 do të filloj gjykimi ndaj ish-deputetit Haxhi Shala, Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit për veprat penale të pengimit të personave zyrtarë dhe frikësim të dëshmitarëve lidhur me procesin e gjykimeve në Gjykatën Speciale në Hagë.

Sipas njoftimit të që ka bërë Gjykata Speciale, të pandehurit akuzohen se nga 5 prilli 2023 deri më 12 prill 2023 janë takur secili veç e veç me një dëshmitar për ta nxitur të njëjtin që të tërhiqet nga dëshmia para Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë.

“Të akuzuarit akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim gjatë procedurave penale. Konkretisht, në Aktakuzë pretendohet se midis 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, të udhëzuar nga z. Shala, z. Januzi dhe z. Bahtijari u takuan secili më vete me një dëshmitar në dy raste për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para DHSK-së, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë dhe premtimit për dhuratë, apo për ndonjë formë tjetër përfitimi”- thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Në këtë Gjykim pritet që të lexohet aktakuza, pritet të bëhet deklarimi i të akuzuarve lidhur me veprat për të cilat ngarkohen dhe më pas do të vazhdohet me fjalët hyrëse të palëve.

“Më pas, ZPS-ja do të paraqesë deklaratën hyrëse që do të pasohet nga deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Januzit dhe mbrojtjes së Shalës. Sikurse kanë kërkuar palët përkatëse, trupi gjykues ka planifikuar dy orë për deklaratën hyrëse të ZPS-së, një orë për deklaratën hyrëse të mbrojtjes së Januzit dhe 30 minuta për deklaratën hyrëse të mbrojtjes së Shalës”- thuhet tutje në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Më 9 dhjetor 2024, ZPS-ja do të fillojë me paraqitjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve.

Sabit Januzi dhe Ismet Bahtirjari ishin arrestuar më 5 tetor 2023 në Kosovë dhe ishin transferuar në qendrat e paraburgimit në Gjykatë Speciale.

Tashmë i akuzuari Haxhi Shala ishte arrestuar më 11 dhjetor 2023. Që të tre nuk e kishin pranuar fajësinë për veprat që ju vihen në barrë.

“Më 13 dhjetor 2023, ZPS-ja dorëzoi kërkesë për bashkimin e çështjes kundër z. Januzi dhe z. Bahtijari me çështjen kundër z. Shala. Më 8 shkurt 2024, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për bashkimin e dy çështjeve gjyqësore. Pas ndryshimit të njërës prej akuzave për z. Januzi dhe z. Bahtijari më 8 korrik 2024, paraqitja e mëtejshme e z. Januzi dhe z. Bahtijari u mbajt më 12 korrik 2024, gjatë së cilës të dy të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën e re ndaj tyre në aktakuzën e përbashkët të ndryshuar. Më 16 shkurt 2024, ZPS-ja dorëzoi dosjen e vet paraprake, ndërsa versionet më të fundit të dosjeve paraprake të tri ekipeve të Mbrojtjes u dorëzuan më 2 shtator 2024. Versionet e redaktuara publike të dosjeve paraprake të ZPS-së, Shalës dhe Bahtijarit janë të disponueshme”- thuhet tutje në njoftimin që ka bërë Gjykat Speciale.

Për çka akuzohet Haxhi Shala?

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte publikuar aktakuzën (e redaktuar), e ngritur ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ish-deputetit Haxhi Shala, i cili ishte dërguar në Gjykatën Speciale.

Sipas aktakuzës së konfirmuar, Haxhi Shala akuzohet për: (i) frikësim; dhe (ii) tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.

Të gjitha krimet, sipas aktakuzës, kanë të bëjnë me procedurat zyrtare të Gjykatës Speciale, duke përfshirë edhe hetimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Aty thuhet se është një person (Dëshmitari 1) që ka dhënë ose ka të ngjarë t’u japë informacione task-forcës speciale hetimore, ZPS-së dhe/ose çdo paneli të Gjykatës Speciale në lidhje me ndonjë krim ose shkelje që bie nën juridiksionin e kësaj gjykate.

Rreth pikës – Pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, thuhet se Haxhi Shala me kanosje të rëndë dhe me veprim të përbashkët të një grupi personash në të cilin ka marrë pjesë ka tentuar të pengojë personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Sipas aktakuzës, midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Shala në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të Januzit dhe Bahtijarit me Dëshmitarin 1, dhe me udhëzim të Haxhi Shalës, Januzi dhe Bahtijari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste të veçanta për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.

Prokuroria pretendon se kjo sjellje e Shalës demonstron qëllimin e tij për të minuar dhe penguar një person zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Me këto veprime, Shala akuzohet po ashtu se ka devijuar burimet dhe kohën e Prokurorisë për të adresuar pasojat aktuale dhe të mundshme për dëshmitarin dhe familjen e tij në lidhje me procedurat zyrtare të Gjykatës.