Më 1 qershor hapen kopshtet dhe çerdhet në Shqipëri

Në mbledhjen e fundit të Komitet të Ekspertëve, ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogeta Manastirliu, deklaroi se më 1 qershor do të hapen kopshtet dhe çerdhet sipas një protokolli të miratuar për masat anti-COVID.

“Strategjia e rihapjes do të vijojë sipas fazave që komiteti teknik i ekspertëve ka miratuar.  Do të vijojmë me hapjen e çerdheve dhe kopshteve nga data 1 qershor, protokolli i të cilave është miratuar dhe është shpërndarë për t’u parapërgatitur për këtë datë. Vlerësojmë që ky protokoll por edhe të gjithë protokollet e sigurisë duhet të zbatohen rreptësisht, pasi janë baza për ruajtjen e shëndetit të popullatës”, tha ajo, raporton oranews.

Hapja graduale do të vijojë çdo 14 ditë duke shmangur edhe ekspozimin e menjëhershëm.

“Nuk duhet të harrojmë që ky virus vijon të qarkullojë dhe ne duhet t’i përgjigjemi me të gjitha strukturat në gatishmëri. Kemi hyrë në javën e 12 të epidemisë me mbi 1 mijë të prekur. Tashmë edhe puna bëhet më e vështirë për të gjurmuar kontaktet, ndaj duhet të intensifikohet puna nga strukturat tona të terrenit”, tha tutje ajo.

Gjatë mbledhjes, drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino kërkoi më shumë ndërgjegjësim të të rinjve.

“Rritja e numrit të rasteve sidomos në Tiranë tregon se sa të kujdesshëm duhet të jemi. Është koha që të rinjtë të jenë të përgjegjshëm, që e gjithë popullata të jetë e përgjegjshme në mënyrë që të ruajmë distancën dhe rregullat e higjienës”, u shpreh ajo.

Shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT, Najada Çomo tregon edhe për gjendjen shëndetësore të vështirë për disa pacientë të shtruar.

“Duhet të jemi realistë që ka persona të shtruar në spitalin infektiv që janë në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe duke patur parasysh që kemi patur dy vdekje brenda pak ditësh tregon për vazhdimin e gravitetit të sëmundjes, pa çka se shifra është nën 20. Por kjo shifër mund të zvogëlohet ose të shtohet në ditët në vijim. Masat e marra dhe pjesa e ruajtjes së distancimit janë elementë shumë të rëndësishëm për të ruajtur shifrat e ulëta të pacientëve të shtruar në shërbimin infektiv“, tha ajo.

Komiteti Teknik i Ekspertëve do të vijojë vlerësimin mbi baza ditore dhe 14 ditore të situatës epidemiologjike të COVID19 për vendimet e mëtejshme.

Në 24 orët e fundit numri i të prekurve u rrit ndjeshëm, me 25 qytetarë të infektuar, por kjo sipas ekspertëve nuk do të thotë domosdoshmërisht kthimi i një tjetër vale për Covid 19. /21Media