MD dhe Policia akordohen për intensifikim aktiviteti në parandalimin e dhunës në familje

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ka pritur gjatë ditës së sotme në takim zëvendësministren e Drejtësisë, Nita Shala.

Shala njëherësh Koordinatore Nacionale Kundër Dhunës në Familje në këtë takim ka takuar edhe drejtuesit e Sektorit për Parandalimin e Dhunës në Familje.

Gjatë takimit, drejtori Samedin Mehmeti përmes një prezantimi të punës së Policisë së Kosovës, në këtë rast të Sektorit për Parandalimin e Dhunës në Familje, njoftoi për angazhimet, rezultatet dhe aktivitetet policore në zbatim të objektivave strategjike dhe angazhimeve konkrete në trajtimin dhe parandalimin e rasteve të dhunës në familje.

“Pjesë e prezantimit ishin informacionet mbi planifikimet operacionale, ndryshimet e procedurave operacionale, fushatat sensibilizuese, ligjëratat në ambiente shkollore, veprimet gjithëpërfshirëse policore si dhe projektet e planifikuara, ndër to ‘Strategjia e Integruar e Policimit të drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimi në Bashkësi 2021-2025’”, thuhet në njoftim.

Shala tha se për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje, që rezultojnë të jenë në rritje, kërkohet një angazhim dhe përkushtim edhe më i madh i të gjitha institucioneve.

“Kërkohet nga të gjithë akterët institucionalë, të ngritët edhe më tej efikasiteti dhe efektiviteti në trajtimin dhe parandalimin e rasteve të dhunës në familje, për çka do ta keni përkrahjen e vazhdueshme të ministrisë”, ka thënë Shala.

Ndërsa, menaxhmenti i Policisë së Kosovës, u zotua se do të vazhdojë me angazhime konkrete në zbatim të ligjit, në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe në veçanti në trajtimin dhe në parandalimin e rasteve të dhunës në familje.