McDonald’s rihap restorantet në Ukrainë

McDonald’s ka njoftuar planet për të rihapur pikat në Ukrainë, të cilat u mbyllën pas agresionit rus kundër Ukrainës në muajin mars.

Zinxhiri i ushqimit të shpejtë tha se shpresonte se masa do të ndihmonte në rivendosjen e një “ndjesie të vogël por të rëndësishme të normalitetit”.

Do të ketë një rihapje me faza gjatë disa muajve të ardhshëm në Kiev dhe Ukrainën perëndimore në zonat që konsiderohen të sigurta, tha gjigandi i burgerëve.

McDonald’s kishte më shumë se 100 restorante në Ukrainë para fillimit të konfliktit, raporton bbc.

Kompania ka vazhduar të paguajë paga për më shumë se 10 mijë punonjës që atëherë. “Ne kemi folur gjerësisht me punonjësit tanë të cilët kanë shprehur një dëshirë të fortë për t’u kthyer në punë dhe për të parë restorantet tona në Ukrainë të rihapen, ku është e sigurt dhe e përgjegjshme për ta bërë këtë”, tha zëvendëspresidenti i lartë, Paul Pomroy.

“Në muajt e fundit, besimi se kjo do të mbështeste një ndjenjë të vogël por të rëndësishme normaliteti është bërë më e fortë. Dhe zyrtarët ukrainas kanë këshilluar që bizneset që rifillojnë veprimtarinë do të mbështesin ekonominë lokale dhe popullin ukrainas”, shtoi ai.

Kompania tha se po punonte me furnitorët dhe kontraktorët për të siguruar që restorantet të ishin gati për rihapje.

McDonald’s gjithashtu pezulloi operacionet në Rusi në mars, dhe në maj ia shiti shumicën e restoranteve të tij ruse një të licencuari lokal. /Telegrafi/