Lideri i republikanëve në Senat, Mitch McConnell.

McConnell: Trump provokoi turmën në Kongres

Lideri i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, ka fajësuar drejtpërdrejt presidentin amerikan, Donald Trump dhe disa aleatë të tij për sulmin vdekjeprurës në Kongres, ndërkohë që Senati po përgatitet për gjykim ndaj presidentit në shkuarje, me akuzat për “nxitje të kryengritjes”.

McConnell, një mbështetës i madh i Trumpit në katër vjetët e fundit, ka thënë më 19 janar se “turma ka qenë e ushqyer me gënjeshtra”, para se të sulmonte Kongresin më herët gjatë këtij muaji.

“Ata janë provokuar nga presidenti dhe persona tjerë me pushtet, dhe ata kanë tentuar të përdorin dhunën dhe frikën për të ndalur procedura specifike që nuk iu kanë pëlqyer në degën e parë të qeverisë federale”, ka thënë senatori nga Kentaki në dhomën e Senatit.

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, duke prezantuar artikullin e miratuar për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump.

Prej sulmit të 6 janarit në Kongres, që ka rezultuar me vdekjen e pesë personave, McConnell ka pasur qasje më të ashpër kundrejt presidentit nga partia e tij, i cili më 13 janar është paditur për herë të dytë nga Dhoma e Përfaqësuesve për rolin e tij në nxitje të dhunës.

Ndërtesa e Kongresit është sulmuar nga protestuesit pro-Trumpit, të cilët ishin zemëruar pasi presidenti ka përsëritur në disa raste se ka fituar zgjedhjet e 3 nëntorit dhe se procesi është manipuluar.

Pretendimet e tij janë hedhur poshtë dhjetëra herë nga gjykatat në Shtetet e Bashkuara.

McConnell do të humbë pozitën si lider i shumicës në Senat më 20 janar, në ditën e njëjtë kur të skadojë mandati i Trumpit.

Ndonëse McConnell nuk ka treguar nëse do të votojë për ta dënuar presidentin në Senat, ai është raportuar të ketë thënë privatisht se dënimi ndaj Trumpit do të mund të ndihmonte në uljen e ndikimit të tij në Partinë Republikane.

Dy të tretat e anëtarëve të Senatit duhet të votojnë për ta dënuar Trumpin, që i bie se të paktën 17 republikanë duhet t’iu bashkohen demokratëve./REL