Ilustrim

Mbyllja për tri ditë e gazsjellësit 'Nord Stream 1' rrit pasiguritë energjetike në Evropë

Rusia do të ndalojë furnizimet me gaz natyror në Evropë për tre ditë në fund të muajit gusht përmes tubacionit të saj kryesor në rajon Nord Stream 1.

Lajmi u bë i ditur të premten nga gjiganti shtetëror energjetik rus Gazprom, dhe rrit më tej presionin mbi shtetet evropiane të cilat kërkojnë të plotësojnë rezervat përpara dimrit.

Mirëmbajtja e paplanifikuar e gazsjellësit Nord Stream 1, i cili kalon nën Detin Baltik për në Gjermani, thellon krizën energjetike midis Moskës dhe Brukselit, që tashmë ka shkaktuar rritjen e inflacionit në rajon dhe ka rritur rrezikun e racionimit dhe recesionit.

Gazprom tha se mbyllja ishte për shkak se i vetmi kompresor i mbetur i tubacionit kërkon mirëmbajtje. Edhe flukset e gazit që kalojnë përmes rrugëve të tjera të tubacioneve kanë rënë që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, të cilin Moska e quan një “operacion special ushtarak”.

Masa do të sjellë përçarje të mëtejshme veçanërisht për Gjermaninë, e cila varet kryesisht nga dërgesat e Rusisë për të furnizuar industrinë e saj. Bashkimi Evropian ka akuzuar Rusinë për përdorimin e energjisë si armë. Moska e ka mohuar akuzën dhe ka fajësuar sanksionet për rënien e eksporteve.

Gazsjellësi Nord Stream tashmë funksionon me vetëm një të pestën e kapacitetit të tij, duke nxitur frikën se Rusia mund të ndalojë plotësisht flukset në prag të sezonit të ngrohjes dimërore dhe ta bëjë më të vështirë mbushjen e objekteve të magazinimit.

Përpara se Gazprom të shpallte mbylljen, çmimet e gazit në Evropë mbetën afër niveleve më të larta të pesë muajve, ndërsa çmimet e gazit në SHBA ndryshuan kursin dhe u rritën me 1.2% pas lajmit.

Më herët, politikanë të lartë gjermanë hodhën poshtë sugjerimet se mungesa e gazit mund të evitohet duke lejuar që gazsjellësi i pezulluar Nord Stream 2 të hyjë në shërbim, diçka që Kremlini e ka sugjeruar si zgjidhje.

“Unë këshilloj fuqimisht që të kursejmë poshtërimin e të kërkuarit (presidentit rus Vladimir) Putin për diçka që nuk do ta marrim,” tha Kevin Kuehnert, zyrtari numër dy në partinë socialdemokrate të kancelarit Olaf Scholz./REL