Foto: Kossev

Mbyllja e pikave të Postës së Serbisë në veri, Bislimi: Do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se mbyllja e pikave të Postës së Serbisë në veri të vendit ka qenë në shërbim të mbrojtjes së ligjit.

Sipas tij, ky veprim i institucioneve të vendit do të duhej të mbështetej edhe nga vetë ndërkombëtarët.

Sipas numrit dy të Qeverisë, operimi i Postës së Serbisë në Kosovë ishte ilegal. Këtë e kishin konfirmuar edhe institucionet shtetërore të vendit që bëjnë rregullimin e komunikimeve elektronike dhe postare.

“Posta e Serbisë ka vepruar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës. Veprimet e ndërmarra ditën e djeshme nga Policia janë vetëm në shërbim të mbrojtjes së sundimit të ligjit, konkurrueshmerisë, dhe kushtetutshmërisë në vend. Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal nuk kanë vend në Republikën e Kosovës. Kjo do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë” – thuhet në reagimin e Bislimit.

“Një entitet i Serbisë, në këtë rast Posta e Serbisë, ka operuar jashtëligjshëm jashtë territorit të Serbisë, e për më tepër në një shtet të cilin ajo nuk e njeh. Prezenca e këtyre zyrave në territorin e Republikës së Kosovës përveçse paraqet shkelje të rëndë të parimeve të fqinjësisë së mirë, ato gjithashtu përbëjnë aktivitet ilegal, shkaktojnë çrregullim tregu, dhe prishjen e konkurrencës” – thuhet tutje në postimin e Besnik Bislimit.

Pasi Policia e Kosovës kishte mbyllur disa pika të Postës së Serbisë në veri të vendit, kanë reaguar BE, SHBA dhe përfaqësues të vendeve europiane të akredituar në Kosovë.

SHBA e zhgënjyer me mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës

BE kundër mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës: Një hap i njëanshëm dhe i pakoordinuar