
Mbyllja e institucionit paralel në Mitrovicë të Veriut - Lista Serbe thotë se Kurti po bën fushatë
Partia Lista Serbe ka reaguar në lidhje me mbylljen e institucionit paralel në Mitrovicën e Veriut.
Mbylljen e objektit që ka funksionuar si Zyrë Tatimore nga Serbia, këta të fundit e kanë cilësuar si fushatë parazgjedhore të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
“Me mbylljen ilegale dhe të dhunshme të Administratës Tatimore në Kosovska Mitrovica dhe hedhjen e 80 punëtorëve serbë në rrugë, Albin Kurti vazhdoi fushatën parazgjedhore, të cilën e drejton ekskluzivisht mbi kurrizin e popullit serb, sepse nuk ka çka t’i ofrojë votuesve të tij.” – thuhet në njoftimin e Listës Serbe.
Për 80 punëtorët e “Administratës Tatimore”, të cilët kanë mbetur pa punë, partia në fjalë thotë se do të diskutojmë me ta për çdo lloj ndihme. Gjithashtu, sipas tyre, do t’ua përcjellin punëtorëve mesazhin se asnjëri prej tyre nuk do të mbetet pa të ardhura.
“Derisa me forcë Kurti me njësitë e tij policore dhe ministra të bindur si Nenad Rasiq okupon dhe rrëmben objektet serbe, nuk mund të bëjë që populli serb të largohet nga vatrat shekullore dhe as të na pengojë neve dhe shtetin e Serbisë të ndihmojmë popullin tonë.” – thuhet tutje në komunikatën e kësaj partie
Policia e Kosovës ka ndërhyrë në një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut mëngjesin e së mërkurës, më 08.01.2025. Për këtë objekt KALLXO.com kishte raportuar në nëntor të vitit 2024, se i njëjti funksiononte ilegalisht si Administratë Tatimore.
Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.
Ai ka thënë se objekti ka funksionuar si Zyrë Tatimore nga Serbia.
“Rreth orës 09:00 kemi hyrë në këtë ndërtesë, e cila sipas informacioneve tona ka funksionuar si Zyrë Tatimore – si Degë e Ministrisë së Financave të Serbisë.” – tha ai.
KALLXO.com ka raportuar, më 01.11.2024, për dëshmitë për funksionimin e institucionit paralel ilegal në Mitrovicë të Veriut.
Ekipi i KALLXO.com verifikoi më 30.10.2024 se në këtë objekt paralel funksiononte e ashtuquajtura “Administrata Tatimore”.
KALLXO.com hyri brenda këtij objekti paralel, ku kishte punonjës dhe po funksiononte. Për të verifikuar çka po ofrohet konkretisht, gazetarët thanë se “po u duhet certifikata e lindjes që ta nxjerrin letërnjoftimin e Serbisë”.
“Ky dokument duhet të nxirret në Komunë. Na jena ‘Administrata Tatimore’ këtu zotëri.” – ishte përgjigjja e punonjësve.