Mbyllja e bizneseve: Familja nga Gjilani mbetet pa të ardhura

Hajrije Azemi nga fshati Veleknicë e Gjilanit, bashkë me bashkëshortin e saj janë në mesin e shumë qytetarëve që kanë mbetur pa punë pasi që Qeveria e Kosovës mbylli bizneset në kuadër të masave parandaluese ndaj coronavirusit.

45-vjeçarja tashmë e pesë vjet punon pa kontratë pune si rrobaqepëse në një lokal në qytetin e Gjilanit. Ajo në një bisedë për KALLXO.com rrëfen se edhe bashkëshorti i saj, moler në një kompani, ka mbetur i papunë e si rrjedhojë, familja 5-anëtarshe nuk ka asnjë burim te të ardhurave që nga muaji mars.

“Unë qe 20 vite kam marr zanatin për rrobaqepësi. Kam punuar ndërkohë në shumë vende, por tash ku jam duke punuar, jam qe 5 vite. I kemi thanë asaj punëtores edhe para situatës që me na dhanë një kontratë të punës, edhe kurrgjë. E tash që një muaj jam të shtëpia, pa punë edhe burri që punon si moler ka mbetur pa punë. Kemi mbet shumë keq, spo dim kah me ja majtë”, tha Azemi, duke theksuar se këto ditë kanë pranuar pako ushqimore dhe para vetëm nga qytetarët.

Përderisa që Qeveria e Kosovës ditë më parë ka aprovuar Pakon Emergjente Fiskale nga e cila do të ketë kompensime për sektorin publik dhe privat, familja Azemi kërkon të dijë nëse mund të jenë përfitues të skemave.

Lidhur me këtë KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave dhe Transfereve.

Ministri i Financave, Besnik Bislimi ka udhëzuar që t’i referohemi masës 8 dhe asaj 15 të Pakos Fiskale Emergjente.

Andaj, masa 8 e këtij plani thotë se Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130) euro për qytetaret që humbin vendin e tyre të punës për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik, për muajin prill, maj dhe qershor në vlerë deri në katër milionë euro.

  1. Për të përfituar nga kjo duhet të plotësohen këto kritere: Ish i punësuari të jetë i larguar nga puna si rezultat i rënies së aktivitetit të ndërmarrjes për shkak të situatës së pandemisë, arsyet tjera të largimit nuk mbulohen.
  2. Ish Punëdhënësi përmes sistemit elektronik EDI, duhet të plotësojë dhe ngarkojë formularin dhe listën e dizajnuar nga ATK për më së largu deri më 15 maj.
  3. Ish i punësuari duhet të jetë pjesë e listës së pagave të dorëzuar nga punëdhënësi në periudhën Shkurt 2020.
  4. Ish i punësuari duhet të posedojë llogari bankare valide në një nga bankat e licensuara nga Banka Qendrore e Kosovës.
  5. Kërkesat e dërguara nga punëdhënësit do të shqyrtohen nga Komisioni i themeluar nga ATK në bashkë punim me MEPTINIS (Agjencia e Punësimit), në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditë pune nga data e parashtrimit të kërkesës
  6. Kjo pagë për qëllime të tatimit duhet të konsiderohet si pagë primare
  7. Thesari duhet të sigurohet që ish i punësuari mund të përfitojë vetëm një herë brenda një periudhë mujore në këtë skemë.
  8. Përfituesit nuk mund të jetë njëkohësisht edhe përfitues të skemave tjera.
  9. Kjo masë të buxhetohet dhe realizohet përmes divizionit përgjegjës për skemat/ndihmat sociale.

Kurse, masa 15 thotë se Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130 €) euro për qytetarët me kushte të rënda sociale, të lajmëruar si të papunë në institucionin kompetent, që nuk janë përfitues të asnjë të hyre mujore nga buxheti i Kosovës, për muajin Prill, Maj dhe Qershor, në vlerë deri në tre milion (3,000,000.00 €) euro.

  1. Nga kjo masë përfitojnë familjet të cilat nuk kanë asnjë të punësuar(sektor publik dhe privat) dhe nuk pranojnë asnjë pagesë të rregullt mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës (pension apo asistencë tjetër sociale) dhe që janë banor rezident të Kosovës.
  2. Shuma prej 130 euro ndahet për një familje, për periudhën prill – qershor 2020 në bazë të verifikimeve paraprake. Verifikimi bëhet çdo muaj, ndërsa aplikimi vetëm njëherë. Një përfaqësues i familjes deklarohet si përfitues i skemës.
  3. Me qëllim të përftimit nga koj skemë, nga përfaqësuesi I familjes duhet të bëhet kërkesa me shkrim që duhet të përmbajë të dhënat e përfaqësuesit/përfituesit një deklarim që asnjë nga anëtarët e familjes nuk kanë të hyra mujore dhe nuk përfiton nga skemat sociale dhe pensionale dhe dëshmia e regjistrimit si një I papunë në Agjencinë/ Entin e Punësimit shërben si dëshmi në mbështetje të aplikacionit por nuk është e domosdoshme në këtë kohë. Megjithatë, aplikimi në entin e punësimit mund të bëhet edhe në mënyrë elektronike, përmes metodave me të cilat do t’i njoftojë Agjencia e Punësimit përmes kanaleve të saj të komunikimit. Kërkesat duhet të bëhen më së largu deri më 15 maj 2020.
  4. Ministria e Financave do të hartojë një aplikacion për kërkesë, në të cilën do të shënohen të dhënat e nevojshme familjare dhe autorizimi i nevojshëm për përpunim të të dhënave personale, me qëllim të zbatimit të kësaj mase.
  5. Kërkesat shqyrtohen nga Divizioni për Ndihma Sociale në kuadër të Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe përgatit listën për verifikim. Marrja e informacioneve dhe verifikimi I anëtarëve të familjes lidhur me kushtet e tyre për të vërtetuar nëse I plotësojnë kushtet për të përfituar nga kjo masë bëhet përmes ARC-së në mënyrë elektronike (certifikatë familjare ose trungu familjar).
  6. Pagesat e kësaj skeme realizohen për muajin Prill, jo më vonë se data 5 maj në kuadër të programit të asistencës sociale, sipas listës së përfituesve.