Situata në Jarinjë, 06.09.2024 Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com
Mbyllet pikëkalimi në Bërnjak, bllokohen pjesërisht pikëkalimet e tjera mes Serbisë e Kosovës
Pikëkalimi në Bërnjak është mbyllur për qarkullim nga autoritetet e Kosovës, më 06.09.2024, pasi një grup serbësh bllokuan rrugët në territorin e Serbisë, në shenjë proteste ndaj veprimeve të institucioneve të Kosovës në veri të vendit.
Rreth 30 persona janë në Jarinjë e Bërnjak, diku rreth 50 persona në Kullë e Merdarë, të cilët kanë dalë dhe i janë bashkuar kërkesës për të protestuar dhe bllokuar rrugët matanë kufinjvë që lidhin Kosovën me Serbinë.
Në rrjetin social ‘Telegram’ grupi që po udhëheq këto protesta tashmë ka njoftuar se do të vazhdoj qëndrimin dhe do të vazhdojnë të bllokojnë rrugët për ato vetura e automjete të tjera që nuk janë me tabela të Beogradit.
Ndërrimi i parë sipas tyre do të përfundoj në orën 6 të mëngjesit ndërsa një grup tjetër do të vazhdoj tutje ndërrimin tjetër për 12 orë.
KALLXO.com mëson se dy automjete të cilët ishin me mërgimtarë nga Kosova janë kthyer nga pika kufitare Jarinjë.
Atje ekipi i KALLXO.com raportoi se si paraprakisht këta mërgimtarë u rekomanduan që të mos kalonin përmes asaj pike për shkak të bllokimit të rrugës.
Të njëjtit vazhduan dhe nuk respektuan rekomandimin e që më pas janë detyruar që të kthehen mbrapa.
Në anën tjetër, pika kufitare në Bërnjak është mbyllur pasi siç mëson KALLXO.com persona të maskuar po ndalojnë dhe po frikësojnë qytetarët që po kalojnë përmes kësaj pike.
Në Merdarë ngjashëm ka pasur protestues. Ata u panë deri sa nuk lejonin të kalojë një kamion përmes asaj pike.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një postim në Facebook tha se grupet ekstreme serbe qëndrojnë mbrapa këtyre thirrjeve për protesta.
“Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët”-thuhet në njoftimin e Sveçlës.
Për këtë zhvillim ka reaguar edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz.
“Në pikën kufitare në Bërnjak, brenda territorit të Serbisë, persona të maskuar po ndalojnë edhe veturat me regjistrim gjerman dhe pas konstatimit që janë shqiptarë, nuk po i lënë të kalojnë. Vetura e policisë serbe veç shikon dhe nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij seleksionimi racist dhe fashist, i cili sjell në mendje kohë të errëta dhe si i tillë nuk guxon të tolerohet”, ka shkruar ajo në Facebook.
Bllokimi i pikëkalimeve kufitare në anën serbe mes Serbisë dhe Kosovës ishte paralajmëruar ditë më parë nga disa organizata në Serbi, si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit në veri të Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u pati bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.
Javën e kaluar, Qeveria mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.
Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre dhe kanë kërkuar kthimin në vendet e punës.