Mbyllet për publikun seanca gjyqësore ndaj Enver Sekiraqës

Seanca e cila do të mbahet sot ndaj Enver Sekiraqës i akuzuar për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, është mbyllur për publikun.

Arsyeja për mbylljen e seancës vjen pas kërkesës së palëve në procedurë, pasi që në këtë seancë do të bëhet dëgjimi i dëshmitarit të mbrojtur.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar vetë gjyqtari i rastit, Agim Kuqi.

Përndryshe në seancën e cila ishte mbajtur më 23 janar të këtij viti, Arben Berisha kishte rrëfyer momentin se si e kishte vrarë Triumf Rizën.

Sipas aktakuzës, Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht të vitit 2007.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007, e që sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha si ekzekutor ishte dënuar me 35 vite burg.

Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Për të njëjtat akuza ai ishte dënuar edhe në vitin 2020 mirëpo çështja ishte kthyer edhe një herë në rigjykim.

Në procesin e tij një varg personalitetesh VIP kishin dëshmuar për ngjarjet rreth Rizës dhe Sekiraqës.

Në një intervistë për “Drejtësia në Kosovë” pak para dorëzimit në EULEX, Sekiraqa kishte përmendur disa prej strukturave të UÇK-së.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.