Takimi i Sindikatës së Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, 26 korrik 2022 Foto: KALLXO.com

Mbyllet për media takimi i Sindikatës së Autoritetit të Aviacionit Civil me Komisionin parlamentar

Takimi i Sindikatës së Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, po mbahet pa prezencën e mediave.

Anëtari i Komisionit, Salih Zyba nga Lëvizja Vetëvendosje propozoi që takimi të mbahet pa prezencën e mediave në mënyrë që sindikatalistët të shprehin “pa kufizime” shqetësimet e tyre.

“Takimi pa media ju jep hapësirë që të shpalosin qoftë edhe problemin më minimal që kanë”, tha Zyba.

Edhe deputetja Ganimete Musliu, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) u pajtua me këtë propozim sepse sipas saj, edhe takimet paraprake me drejtorin dhe Bordin e AAC-së janë mbajtur pa media.

“Duke pasur parasysh që problemet e tyre veç janë thellu, e ne që një vit edhe nuk po arrijmë me ju ndihmu, konsideroj që ti takojmë pa media, t’i dëgjojmë e pastaj si komision të dalim me rekomandime”, tha Musliu.

Deputetja Musliu propozoi që të mbahet edhe një takim i radhës me Kryesuesin e Bordit të AAC-së pasi ky kishte munguar në takimin e kaluar.

Ndërkaq deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa u deklarua kundër propozimit që të mbahet takimi me sindikatën e AAC-së pa prezencë të mediave.

“Është e vërtetë që palët tjera i kemi takuar pa media, por nëse nuk gaboj, mediat nuk kanë shfaqur interesim. Nuk jam i vetëdijshëm se në një takim të palëve kemi vendos na me i largu as atëherë, edhe këtë ta vazhdojmë me mediat”, u shpreh Mustafa.

Kryesuesja e Komisionit, deputetja Fitore Pacolli – Dalipi (LVV) tha se takimet e kaluara nuk iu kanë bërë ftesë mediave, andaj edhe për sindikatën duhet “trajtuar barabartë”.

Më 24 korrik 2022, KALLXO.com ka raportuar se Bordi Mbikëqyrës i Autoritetit të Aviacionit Civil i ka kërkuar Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të aktivizojnë pikën 4 të nenin 20 të ligjit për Aviacionit Civil që parasheh hapat kur duhet të shkarkohet drejtori i këtij institucioni.

Bordi pretendon se drejtori i përgjithshëm, Bujar Ejupi me marrjen e mandatit në qershor të 2020 ka filluar ndëshkime të stafit të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe atë duke përfshirë vetëm stafin e anëtarësuar në Sindikatën e Punëtorëve të AAC-sl ndërsa ka favorizuar të tjerët, jo anëtarë të sindikatës.

“Ne si bord, kemi sugjeru inicimin e procedurës disiplinore ndaj Zyrtares Ekzekutive për shkak se ajo nuk ka përmbushur obligimet e saj ndaj Bordit,  ndërsa DP (drejtori i përgjithshëm) ka amnistuar shkeljen. Zyrtarja nuk është anëtare e Sindikatës”, vazhdon letra.

Bordi u ka rekomanduar, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, Komisionit për Planifikim dhe Zhvillim si dhe Auditores së Përgjithshme që të marrin parasysh shkeljet e pretenduara dhe të ndërmarrin menjëherë veprime.