Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Mbyllet për media raportimi i ministrit Mehaj në Komisionin parlamentar
Është mbyllur për media vazhdimi i mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ku po raporton ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Kjo është bërë me arsyetimin se anëtarët e Komisionit [deputetë], kanë pyetje konfidenciale që mund të dëmtojnë procese nëse deklarimet bëhen publike.
Ministri Mehaj është ftuar për të raportuar në Komision rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Aleancës Veriatlantike – NATO.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është duke raportuar para Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Mehaj tha se njëra ndër strategjitë e vendit është pjesëmarrja në forume ndërkombëtare dhe vizitat në shtetet të ndryshme.
Ministri i Mbrojtjes theksoi se deri më tani janë nënshkruar 15 memorandume dhe tre marrëveshje ‘sofa’.
“Një nder objektivat e mia si ministër është anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Strategjia jonë është identifikimi dhe pjesëmarrja në forume ndërkombëtare. Vizitat e mia në shtetet e NATO-s janë shfrytëzim për të mirën e shtetit. 15 memorandume dhe 3 marrëveshje sofa janë nënshkruar deri më tani ndërsa me Poloninë dhe Kroacinë jemi në tentim e sipër.
Mehaj ka shtuar se në përditshmëri Ministria e Mbrojtjes ka kontakte me NATO-n dhe institucionet e saj.
“Ministria e Mbrojtjes merre pjesë në të gjitha takimet e A5, takimi i radhës është javën tjetër. Në mbështetje të SHBA, FSK ka kryer me sukses misionin e parë jashtë vendit si dhe ushtrime Defender shumëkombëshe”, tha ai gjatë raportimit.
Ministri shtoi se FSK është e gatshme të ofrojë siguri edhe jashtë Kosovës ndërsa shtoi se një ndër synimet e tij është edhe përgatitja e projektligjit për dërgimin jashtë vendit të FSK-së.
Ai njoftoi se deri më tani janë rreth 127 pjesëtarë të FSK-së që janë duke kryer shkollime dhe trajnime jashtë vendit.