Mbyllet mensa dhe konviktet e studentëve

Qendra e Studentëve përmes një njoftimi për media ka bërëtë të ditës që nga dita e sotme e deri më 27 mars, mensa e studentëve dhe konviktet do të jenë jashtë funksionit.

Ky vendim i Qendrës së Studentëve ka ardhur pas vendimit të Qeverisë për të mbyllur institucionet arsimore, si masë për parandalimin e infektimit me CoronaVirusin.

“Ky vendim ka për qëllim parandalimin e infeksionit COVID-19, i njohur si coronavirus”, thuhet në njoftimin e Qendrës së Studentëve.

Këto masa vijnë pas vendimit të Qeverisë, për mbylljen e institucioneve shkollore në tërë vendin deri me datë 27 mars.

Propozimi erdhi nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Ndërprerja e procesit edukativo -arsimor deri më 27 mars në të gjitha nivelet, me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna, kjo masë nuk vlen për punëtoret shëndetësor dhe Pezullimi i përkohshëm ajror dhe tokësore nga vendet me rrezik të lartë”, tha mbrëmë para mediave ministri Vitia.