Foto: Fest Flaka

Mbyllet manifestimi “Flaka e Janarit 2022”

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e ka shpallur të mbyllur manifestimin “Flaka e Janarit 2022” përmes koncertit “Fest Flaka” që është mbajtur sot.

Në edicionin e 31-të me radhë të këtij manifestimi ndërkombëtar është nderuar sakrifica e dëshmorëve përmes trajtimit dhe afirmimit të vlerave artistike.

“Ky manifestim u mbajt në vitin jubilar, 40-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës, andaj në hapje të këtij edicioni të „Fest Flakës“ këngëtari Korab Shaqiri ka kënduar këngën „Këngë e pambaruar“ e kompozuar nga Naim Gjoshi, me tekst të Ilir Shaqirit dhe Engjëll Gjokajt, e orkestruar nga Valton Beqiri”, thuhet në njoftim.

Kryetari ka thënë se përmes këtij manifestimi nderohen përjetësisht dëshmorët e të rënët për liri, të cilët janë vëllezërit Gërvalla. Kadri Zeka, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha.

“Edhe në vitin që vjen e viteve që na presin „Flaka e Janarit“ do të jetë edhe më e begatshme e flakadanët do të ndizen, kujtimet do të rikthehen, heronjtë do të ngjallen mes nesh e brezat e rinj do të mësojnë për heronjtë tanë“, është shprehur ai.

“Më plaket u nderua Florent Boshnjaku, kompozitor edhe atë për afirmimin e vlerave autoktone muzikore, të cilën ia ndau kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i cili njëherësh e ka shpallur të mbyllur për sivjet manifestimin „Flaka e Janarit 2022“, thuhet më tutje në njoftim.

Në pjesën artistike janë paraqitur: „Për mu paska qenë kismet“ – Genta e Greta Azizi, „Seç po frynë një fllad pranvere“ – Merita Sahiti, „Ja na erdhi tash pranvera“ – Mefail Ibrahimi, „Po më rreh zemra si valë deti“ – Herolinda Bucaliu, „Ç’na çudite me bukuri“ – Rina Kurteshi, „Të kam dasht dhe të dua“ – Leotrimi.

Foto: Alban Hyseni