Mbyllet gjykimi ndaj Nenad Rikalos për shkak të rrezikut nga coronavirusi

Gjykimi ndaj ish-ministrit Nenad Rikallo dhe zyrtarëve të tjerë për keqpërdorimin e detyrës zyrtare po mbahet duke mos i lejuar monitoruesit e shoqërive civile që të monitorojnë ecurinë e kësaj seancë gjyqësore.

Ndonëse, në sallë gjykatësi lejoi praninë e njërës nga mediat kosovare, përjashtoi nga salla publikun dhe monitoruesit e shoqërive civile.

Gjykatësi Arben Hoti tha  “ për shkak të vendimit të Qeverisë” duke aluduar në vendimin për masat preventuese për coronavirus urdhëroi sigurimin të mbyllin derën.

Ish-ministri i Bujqësisë, Pylltarise dhe Zhvillit Nenad Rikallo dhe sekretari i kësaj ministrie Kapllan Halimi do të ulet sot në bankën e të akuzuarve.

Rikallos dhe Halimit për tu ballafaquar me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare sot do t’i bashkëngjiten edhe 6 zyrtarë të tjerë.

Aktakuza është ngritur 7 muaj pasi KALLXO.com  ka publikuar një hulumtim rreth një plani të Ministrisë që drejtohej nga Rikallo për një projekt për komunat veriore të Kosovës.

KALLXO.com kishte raportuar për Ministrinë e Bujqësisë, ku në vitin 2018 i kishte ndarë 2 milionë euro për të përkrahur zhvillimin e bujqësisë në Mitrovicën e Veriut.

Favorizimi i kësaj komune ishte në kundërshtim me Planin Kombëtar Për Bujqësi, i cili mbulon gjithë Kosovën dhe nuk parasheh favorizime të komunave apo rajoneve të caktuara.

Pas hartimit të këtij programi, Ministria në fjalë e kishte shpallur thirrjen për aplikim për këtë program prej 2 milionë eurove, për “ngritja e aftësisë konkurruese në sektorin e bujqësisë, pylltarisë përmes përfshirjes së komunitetit në zhvillimin rural në regjionin e Mitrovicës së Veriut”.

Derisa në dokumentin e nënshkruar nga ministri thuhet se këto 2 milionë euro do të ndahen në rajonin e Mitrovicës, në thirrjen e publikuar ka qenë më specifike. Në thirrje thuhet se këto mjete do të ndahen për Mitrovicën e Veriut.

I akuzuari Nenad Rikalo, në cilësinë e Ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”,  pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR, duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregull”, thuhen në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

Po ashtu, Rikalo më 26.03.2018 dyshohet që në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara.

I akuzuari tjetër, Kapllan Halimi,  në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, sipas Prokurorisë, ka tejkaluar kompetencat e tijj, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’iu mundësuar përfitim të paligjshëm disa kompanive të ndryshme, duke formuar një grup prej 11 anëtarëve për përgatitjen e insvestimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë se në dijeni se grupi në fjalë nuk ka qenë kompetent për këtë punë.