Pamje nga Shfaqja ‘Inspektor Limi. Foto: Facebook/ Komuna e Gjilanit.

Mbyllet festivali "Talia e Flakës 2022", nesër publikohen çmimet

Më shfaqjen e dramës “Inspektor Limi”, të teatrit “Oda” është mbyllur sonte në Gjilan, Festivali i Dramës Origjinale Shqipe, “Talia e Flakës 2022”.

Komuna e Gjilanit ka njoftuar se juria e festivalit, në përbërje të Elmaze Nurës, Arian Krasniqit dhe Shkurte Aliut, nesër në mesditë do t’i bëjë të ditur fituesit e çmimeve të festivalit.

Në programin e edicionit të sivjetmë të këtij festival ishin 6 shfaqje, tri prej të cilave anuluan pjesëmarrjen.

Shfaqjet: “Viganët” e  Teatri të Gjilanit, “Aroma e Hënës” e Teatri Kombëtar i Kosovës dhe , “GOF” e Teatrit “Metropol” të Tiranës, u shfaqen sipas programit.

“Shfaqja ‘5 ditë mbret’ e Teatrit ‘Andon Zako Çajupi’ nga Korça nuk mundi të vinte për shkak të masave të reja anti-COVID, ndërsa shfaqjet ‘Marksistët e Leninistët e Zvicrës’ e Teatri ‘Adriana’ nga Ferizaj dhe shfaqja ‘Stiffler’ prodhim nga ‘Integra’, u anuluan pasi pjesëtarë të trupës teatrore të tyre rezultuan pozitiv me COVID-19”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.

Në vend të shfaqjes “Marksistët e Leninistët e Zvicrës” u dha repriza e shfaqjes “Viganët”, kurse shfaqja “Inspektor Limi” zëvendësoi sonte shfaqjen “Stiffler”.

Festivali ‘Talia e Flakës” organizohet në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”.