Posteri i shfaqjes ‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’. Foto TKK

Mbyllet festivali ‘Talia e Flakës 2021’, triumfon shfaqja e Teatrit Kombëtar 

Shfaqja e Teatrit Kombëtar të Kosovës “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” me tekst të Beqir Musliut dhe regji të Erson Zymberit, ka marrë çmimet kryesore të Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, që u mbyll sonte në Gjilan. 

Kjo shfaqje mori çmimin për regjinë më të mirë, aktoren më të mirë, skenografinë më të mirë, shfaqjen më të mirë dhe dramën më të mirë. 

Përmes një njoftimi për media në Facebook, Teatri i Gjilanit ka bërë të ditur se juria e Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës 2021”,  në përbërje të: Shkëlzen Berisha, regjisor, Albana Muja, dramaturge dhe Alban Shahiqi, aktor, ka vlerësuar shfaqjet e këtij edicioni dhe unanimisht kanë vendosur për këto çmime: 

1. Skenografia më e mirë: Bekim Korça për shfaqjet: “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” dhe “Makina e dashurisë”;

2. Prurje e re: Besim Ugzmajli për kompozim regjisorial në shfaqjen “Makina e dashurisë”, prodhim i Teatrit “Adriana” – Ferizaj;

3. Aktorja më e mirë e festivalit: Arta Selimi për rolin e saj në shfaqjen “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun”, prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës;

4. Aktori më i mirë i festivalit: Gani Rrahmani, për rolin e tij në shfaqjen “Kosovo for dummies”, prodhim i Teatrit të Gjilanit;

5. Regjia më e mirë: Erson Zymberi, për regjinë e shfaqjes “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun”, prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës;

6. Shfaqja më e mirë e festivalit: “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun”, prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës;

7. Drama më e mirë: “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” nga shkrimtari Beqir Musliu, prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës, nga përmbledhja e tij me 4 drama “Shtrigani i Gjel-Hanit”.

Festivali “Talia e Flakës” ka nisur më 23 janar 2021 dhe është mbyllur sonte  me shfaqjen e dramës “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun”. 

Për shkak të situatës nuk është mbajtur ceremonia e çmimeve të festivalit.  

Festivali “Talia e Flakës” mbahet në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”. 

Programi i festivalit, ‘Talia e Flakës 2021’