Pamje nga ekspozita ‘Më gjeni’. Foto: KALLXO.com.

Mbyllet ekspozita ‘Më gjeni’

Artisti Eroll Murati ka mbyllur të hënën ekspozitën “Me gjeni”, e cila ishte ekspozuar në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Dy skulpturat që përbënin ekspozitën me moton “Dikush është ende duke i pritur te dera qe 20 vjet”, për mëse një javë qëndruan të ekspozuara në shesh duke risjellë në kujtesë çështje e të zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Autori Eroll Murati, ka thënë për KALLXO.com se ekspozita është larguar përmes një performance në formë dialogu të imagjinuar në mes tij dhe veprave të ekspozuara.

“Shok, faleminderit që na nxore nga nëntoka, qëndruam plot shpirt e dritë për 15 ditë dhe i pamë të dashurit tanë, por u kthyem prapë në nëntokë që një ditë të dalim vërtetë. Shok, mos na harro, të lutem ne gjendemi diku dhe kemi shpresë tek ju”, ka cituar Murati, bashkëbisedimin me skulpturat, si thirrje që të mos harrohen të zhdukurit e luftës.

Ekspozita “Më gjeni” ishte hapur në fillim të nëntorit në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke simbolizuar thirrjet për fatin e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë.

Me moton, “Dikush është ende duke i pritur te dera qe 20 vjet”, kjo ekspozitë ishte një thirrje për shoqërinë kosovare që të mos harrohet fati i të pagjeturve.