Mbyllen pesë lokale në Ferizaj për mosrespektim të masave anti COVID-19

Policia e Kosovës ka njoftuar nga 7 deri më 14 prill pesë lokale janë mbyllur në Ferizaj, për shkak të mos respektimit të masave të reja kundër COVID-19.

Sipas njoftimit të forcave të rendit, nga gjatë kësaj kohe janë shqiptuar 767 tiketa ndaj personave të cilët nuk i kanë respektuar këto masa si dhe janë dhënë 212 vërejtje policore.

“Gjatë javës së fundit (07-14 Prill 2021) , bazuar në vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me respektimin e masave mbrojtëse për Covid 19, njësitet policore të DRP Ferizaj në bashkëpunim me inspektorët komunal janë angazhuar maksimalisht nëpër qendrat tregtare, kafiteritë dhe lokacionet tjera më të frekuentuara nga qytetarët. Këto masa po respektohen nga shumica e qytetarëve të cilët edhe i falënderojmë, por janë hasur edhe persona të cilët nuk i kanë përfillur të njëjtat dhe nga ana e zyrtarëve policorë gjatë kësaj kohe janë shqiptuar 767 tiketa ndaj personave të cilët nuk i kanë respektuar këto masa të parapara me ligjin 07/L-006, janë mbyllur 5 lokale, si dhe janë dhënë 212 vërejtje policore”, thuhet në komunikatë.

Policia ka apeluar tek qytetarët që ti respektojnë masat e parapara ligjore me qëllim të ruajtjes së shëndetit të tyre dhe familjarëve të tyre, në të kundërten kanë paralajmëruar ndëshkime sipas ligjit.