Ilustrim
Mbyllen edhe dy pompa të derivateve në veri - Pamje
Inspektoriati i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka mbyllur të hënën (22.07.2024) përkohësisht dy pompa të derivateve në Zveçan dhe Leposaviq, për shkak të operimit pa leje.
Në njoftimin e MINT bëhet e ditur se këto dy pompa po shisnin pa leje derivate të naftës me pakicë.
“Ky aksion është realizuar me sukses nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës , Doganën e Kosovës , Administratën Tatimore të Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit” – thuhet në njoftimin e MINT.
Sipas tyre, verifikimi i dokumentacionit përkatës ishte në qendër të këtij operacioni, duke siguruar që çdo operator ekonomik të respektojë rregullat dhe ligjet në fuqi.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që merren me tregtinë e produkteve të naftës dhe të karburanteve të ripërtërishme, të pajisen me leje të vlefshme nga MINT, për zhvillimin e veprimtarive të tyre brenda territorit të Kosovës.
“Ndaj atyre që operojnë në kundërshtim me ligjin, do të merren masa ndëshkuese strikte sipas legjislacionit në fuqi. Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë me kontrollet edhe në ditët në vijim” – thuhet në fund të njoftimit.
Ditë më parë, një pompë e derivateve në Mitrovicë të Veriut, një në Zubin Potok dhe një në Ujman janë mbyllur.
Agjencia e Privatizimit të Kosovës kishte bërë të ditur se këto tri pika të karburanteve të cilat janë nën administrimin e saj nuk ishin të pajisura me licencë nga Ministria e Industrisë, ndërsa dy prej tyre nuk ishin as të fiskalizuara.
Mbyllja e tri pompave të derivateve në veri, AKP: Nuk ishin të pajisura me licenca