Mbyllen dy degë të Postës për shkak të mosrespektimit të masave ndaj pandemisë

Komuna e Drenasit ka njoftuar se janë mbyllur dy degët e Postës së Kosovës në Drenas dhe Komoran, për shkak të moszbatimit të masave të parapara kundër coronavirusit.

Komuna bënë të ditur se, dje gjatë inspektimit është konstatuar se të dy degët nuk kanë bërë dezinfektimin e objektit dhe masa tjera mbrojtëse për punëtorët dhe klientët. Inspektorët i kanë dhënë afat 24 orë për të ndërmarr këto masa por që, thonë se nuk u zbatuan.

“Sot pas riinspektimit, shihet se në këto objekte nuk janë marr masat e urdhëruara dhe duke qenë në dijeni se këto pika shitëse, ka fluks të madh të qytetarëve për të kryer shërbime, inspektorët janë detyruar që të mbyllin këto objekte për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit COVID-19”, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.

Sipas tyre, objektet do të vazhdojnë të mbesin të mbyllura deri në zbatimin e masave të parapara nga IKPSH-ja dhe MSH-ja.

Komuna njoftojnë se Inspektorët komunalë janë në kujdestari prej orës 08:00 deri në ora 24:00 dhe menaxheret e këtyre pikave, janë njoftuar qe kurdo që bëhet dezinfektimi dhe masat tjera mbrojtëse do të bëhet hapja e njësive postare dhe do të largohet shenja e ndalesës së punës.