Foto: Spitali i Pejës

Mbushen shtretërit, Spitali i Pejës adapton edhe sallat e takimeve për pacientët me COVID-19

Spitali i Përgjithshëm i Pejës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se janë mbushur shtretërit e shumicës së reparteve me pacientë që po marrin trajtim për COVID-19.

“Pacientët me COVID-19 tashmë kanë mbushur shtretërit e reparteve të Infektives, Pulmologjisë (dy katet), Psikiatrisë, Dermatologjisë, Internos, Nurologjisë, ORL, Oftamologjisë dhe një pjesë të Emergjencës dhe Reparteve Ortopedisë dhe Urologjisë”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim potencohet se janë adaptuar hapësira të reja që nuk kanë qenë të dedikuara për pacientë.

“Për të siguruar shtretër të tjerë në rast nevoje janë adaptuar edhe disa hapësira të tjera që nuk kanë qenë të dedikuara për pacientë si salla e takimeve dhe një hapësirë e Pulmologjisë që mund të shihen në foto. Shpresohet se numri i rasteve do të bjerë dhe këto hapësira nuk do të ketë nevojë të shfrytëzohen”, thuhet tutje në njoftimin e Spitalit.

Sipas të dhënave të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, në Spitalin e Pejës aktualisht janë të shtrirë 212 pacientë.

Në 24 orët e fundit në Pejë janë regjistruar 77 raste të reja dhe dy raste të vdekjes.