Mbulimi i pagesave të rrymës në veri, PDK paralajmëron interpelancë parlamentare

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje se votuan për ndarjen e 11 milionë eurove nga buxheti i Kosovës për të paguar rrymën e  shpenzuar nga banorët serbë në veri të vendit.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, njëherësh kryetar i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, ka paralajmëruar se PDK do ta ftojë në interpelancë parlamentare ministren e Ekonomisë.

“Besoj tashmë të gjithë jeni të informuar për një dëm të madh milionësh që po i bëhet buxhetit të Kosovës, e drejtpërdrejt taksapaguesve të Kosovës. Ky dëm po vjen pikërisht nga deputetët e Vetëvendosjes të cilët votuan në Komisionin parlamentar për Ekonomi që të ndahen 11 milionë euro për pagesën e rrymës për serbët në veri. Ky është vazhdimi i avazit të Qeverisë Kurti 1 kur u patën nda 10 milionë euro për pagesën e rrymës së serbëve në veri. Fatkeqësisht u injorua thirrja jonë në Komision parlamentar për Ekonomi për të ndalë këtë rrjedhje të parasë publike në drejtim të komunave veriore dhe që të gjendet një zgjidhje më kreative”, u shpreh Shala.

Sipas tij, nuk mundet që e njëjta qeveri e cila para 1 jave i anuloi shtesat prej 30 eurove për pensionistët në mungesë të parave, t’i ndaj sot 11 milionë euro për pagesën e rrymës së serbëve në veri të Kosovës.

“Ky vendim për të paguar energjinë për serbët e veriut vjen pikërisht në në një situatë të rënduar pandemike ku edhe buxheti i familjeve kosovare po varfërohet çdo ditë. Këto para të ndara nga buxheti i Kosovës fatkeqësisht po e mirëmbajnë krimin në veri të vendit dhe strukturat paralele atje. Si dhe financimin e aktiviteteve të paligjshme dhe kriminale për prodhimin e kriptovalutave ku kohëve të fundit ka një rritje të madhe. Pra, kemi një qeveri dhe parti si Lëvizja Vetëvendosje që i nënshtrohen pa kushte ndaj Serbisë e strukturave kriminale atje edhe pse për 20 vjet e kanë gojën plot kundër Serbisë”, tha ai.

“Pra Qeveria Kurti 1 dhe Qeveria Kurti 2 po ndan në total 21 milionë euro për vitin kalendarik dhjetor 2020 – dhjetor 2021. Ne si PDK, edhe sot në Komisionin parlamentar për Ekonomi kemi kërkuar të gjendet një zgjidhje kreative për këtë situatë në mënyrë që të mbretërojë parimi i barazisë së qytetarëve – të paguajë ai që shpenzon. Prandaj ne si grup parlamentar jemi kundër dhe  kemi nisur mbledhjen e nënshkrimeve për të ftuar sa më parë në interpelancë ministren e Ekonomisë”, përfundoi Shala në një konferencë për media.

Me 6 vota për dhe 3 kundër, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka votuar që në 6 muajt e ardhshëm, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ky ka qenë propozimi i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.

Propozimi i saj, i cili është përbërë nga 5 pika, e ka liruar Qeverinë e Kosovës nga përgjegjësia për pagesën e 11 milionë eurove të kërkuara nga KOSTT. Sipas saj për shkak se KOSTT ka mundësi financiare të mbulojë këtë shumë deri në një zgjidhje afatgjate.