Mbrojtja: Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk po i respekton afatet për nxjerrjen e materialeve

Avokatët e ish-eprorëve të UÇK-së, të cilët janë të paraburgosur në Hagë, janë ankuar në Gjykatën Speciale se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk po i respekton afatet për dorëzimin e provave.

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka sqaruar se deri më tani mbrojtja ka pranuar 13,800 prova dhe më shumë se 11,000 prej tyre i kanë marrë pas afatit për nxjerrje të materialeve.

Kurse, avokati i Rexhep Selimit, David Young, ka thënë se ndonëse ka pranuar mbi 200 pako materialesh për dëshmitarët, ZPS-ja nuk po tregon se cilat materiale i përkasin cilit dëshmitar.

Avokatët tutje kanë paraqitur shqetësimet e tyre sa u përket problemeve teknike gjatë ndarjes së provave nga ZPS-ja, duke shtuar se sistemi ‘legal workflow’ nuk po funksionon si duhet.

Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur se deri më 31 janar të vitit të ardhshëm do të vendoset për nxjerrjen e materialeve. Kurse, ka bërë të ditur se një numër i madh i dokumenteve ende nuk janë përkthyer në shqip.