Mbrojtja kërkon nga Apeli lirimin nga akuza për Shukri Bujën

Në Gjykatën e Apelit janë shqyrtuar ankesa e Prokurorisë dhe mbrojtësve të të akuzuarve në gjykimin ndaj Shukri Bujës, i cili po akuzohet për marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi, si dhe tetë të akuzuarve tjerë.

Prokuroria ka kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet sa i përket pjesës lirues të aktgjykimit, dhe të akuzuarit të shpallen fajtorë, ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve kërkojnë qe aktgjykimi të ndryshohet dhe të akuzuarit të lirohen nga akuza.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shukri Buja, avokati Arianti Koci, në ankesën e parashtruara, i ka propozuar Gjykatës  së Apelit që të ndryshohet aktgjykimi i shkallës së parë dhe të lirohet i mbrojturi i tij.

Ndërsa prokurori ka kërkuar qe të ndryshohet pjesa liruese dhe të akuzuarit të shpallën fajtorë, kurse kërkesat e mbrojtësve të refuzohen si të pa bazuara.

Në këtë rast të akuzuar janë Halit Gashi, Bajram Rizani, Edmond Rexhepi, Hashim Vishesella, Driton Avdiu, Fahri Retkoceri,  Magbule Sadiku dhe Burim Kodra,

Kujtojmë se Shukri Buja, ish-Kryetar i Lipjanit dhe këshilltar i Presidentit është dënuar me 2 vjet dënim me burgim për veprën keqpërdorim detyre. Përveç kësaj, Buja detyrohet që Komunës së Lipjanit t’i kthejë 79 mijë euro.

I akuzuari tjetër në rastin e njohur si “Ferronikeli”, Halit Gashi, u dënua me 6 muaj burgim i cili dënim mund të zëvendësohet me 2 mijë euro gjobë.

Bajram Rizani është dënuar me me 6 muaj burgim, Edmond Rexhepi po ashtu është dënuar me 6 muaj burgim të cilin mund ta zëvendësojë me gjobë në shumë prej 2 mijë euro.

Hashim Vishesella është dënuar me 5 muaj burgim. Ndërkaq Driton Avdiu, Fahri Retkoceri, Magbule Sadiku dhe Burim Kodra janë liruar nga akuza.

Sipas aktakuzës, Shukri Buja, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij, në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë ka përfituar dhuratë apo përfitim tjetër, në atë mënyrë që me dashje direkte ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë, më saktë tani të pandehurve Bajram Rizani, drejtor në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Lipjanit, për të mos penguar të pandehurin Fahri Ratkoceri në ndërtim të objektit për banim kolektiv në vendin ku ka qenë fabrika e letrës në Lipjan, pa u pajisur me leje urbanistike, leje ndërtimi dhe dokumentet e tjera të nevojshme.

Po ashtu, Buja akuzohet për ndikim te personat zyrtarë, tani të pandehurit Hasim Vishesella, shef i sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe Edmond Rexhepi, drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në Komunën e Lipjanit, të cilët, sipas aktakuzës, i ka shtytur në ndryshim parcial të planit zhvillimor urban të qytetit të Lipjanit, ashtu që kanë lëshuar lejen urbane e më pas edhe lejen për ndërtim.

Buja akuzohet se ka pranuar ryshfet, me pagesën e bërë nga i pandehuri Fahri Retkoceri, duke ia riparuar automjetin zyrtar “Mercedes ML” në shfrytëzim të tij e në pronësi të Komunës së Lipjanit.

Me çka dhe u akuzua nga prokuroria për veprat penale të kryera në vazhdimësi: keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe ushtrim i ndikimit.

Por, disa të akuzuar kanë pëfiituar nga parashkrimi i katër pikave të para të aktakuzës meqë veprat pretendohet se janë kryer në vitin 2008 ndërsa aktvendimi për fillim të hetimeve ishte marrë në vitin 2015.