Mbrojtja e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit: Pandemia po na ngadalëson hetimet

Gjatë ditës së sotme është mbajtur seanca e radhës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në seancën për vazhdimin e çështjes ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke u diskutuar lidhur me hetimet të cilat do të bëheshin nga mbrojtësit, avokati i Rexhep Selimit, David Young, ka thënë se hetimet janë ngadalësuar për shkak të pandemisë.

Hetimet nga mbrojtësit ishin paraparë të fillojnë në prill, në Kosovë.

Young tutje ka thënë se Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka siguruar asnjë vaksinë.

“Do të thosha që për shkak të pandemisë globale kemi një hap më të ngadaltë të hetimeve veçanërisht për shkak të situatës në Kosovë. Kosova është prekur por fatkeqësisht nuk ka një plan për vaksinimin e vendit ndërkohë që Kosova është i vetmi vend në Evropë që deri me sot nuk ka marrë asnjë vaksinë dhe ndërkohe të paktën deri dy ditë më përpara është raportuar se nuk ka arritur asnjë vaksinë në Kosovë “, ka thënë Young.

Kurse avokati i Thaçit, Pierre Richard Prosper, ka thënë se nuk janë në gjendje të fillojnë hetimet në prill pasi nuk kanë marrë materialet paraprake.

“Ne nuk jemi në gjendje të fillojmë punët hetimore seriozisht në prill. Ne duhet të marrim materialet në mënyre që të dimë se çfarë duhet të hetojmë sidomos sa i përket deklaratave, dokumentet e marra nga organizata të ndryshme, nuk e dimë se çfarë janë këto materiale, nëse janë selektive apo kërkohet një hetim më i hollësishëm i tyre… sepse kjo nuk është thjesht çështje procedurale por çështje e të drejtave të njeriut. Prokuroria duhet të përmbush mandatin e saj dhe nëse ka nevojë për ndihmën tonë atëherë mund të na thonë por nëse hetimet vazhdojnë dhe ato nuk lidhen me ne atëherë kjo pengon punën tonë. Unë vërej që prokuroria e ka dorëzuar gati një vit përpara akuzën dhe thonë që ende janë duke kryer hetime dhe ky pohim i tyre me duket i çuditshëm. Ne si ekip i mbrojtjes nuk kemi qenë në gjendje të udhëtojmë, të takohemi me njeri-tjetrin për shkak të COVID-19“, tha Prosper.

Kurse mbrojtësja e Jakup Krasniqit, Venkatesëari Alagendra, shkurtimisht ka thënë se hetimet mund të fillojnë në fund të prillit.

Ndërsa Ben Emmerson, i cili në këtë rast e mbron Kadri Veselin, ka thënë se hetuesi i tyre kryesor është infektuar me COVID-19, gjë e cila ua ka komplikuar çështjen e zhvillimit të hetimeve duke theksuar se hetimi i tyre nuk mund të përfundojë pa u përfunduar dosja paraprake e prokurorisë.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po akuzohen se si drejtues të UÇK-së kishin kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Për këto akuza ata po mbahen në paraburgim prej momentit kur ishin arrestuar në Kosovë.

Të gjitha krimet që Prokuroria pretendon se ishin kryer janë mohuar nga katër krerët e UÇK-së.

Ata po akuzohen se ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, prokurori Jack Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin të cilët sipas tij ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.

Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.

Pjesë e aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas Prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtarët e UÇK-së ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë net rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona, ku disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc.

Sipas Prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë.

Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë.

Aty përshkruhet se këta civilë ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së, e më pas ishin qëlluar dhe vrarë.

Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë ka përfshirë edhe qendrën e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion sipas Prokurorit të Specializuar, gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga anëtarët e UÇK-së.

Një tjetër person sipas Prokurorit të Specializuar kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.

Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec, ata sipas aktakuzës ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërpërmendura sipas Prokurorit të Specializuar është përgjegjësia komanduese.