Mbrojtja e të dënuarve në ‘Bon Vivant’ kërkon pafajësi ose rigjykim

Gjykata e Apelit mbajti seancë për vrasjen e ndodhur rreth 6 vite më parë në kafiterinë ‘Bon Vivant’ në Prishtinë, për të shqyrtuar ankesat e prokurorisë dhe palëve.

Të gjitha palët në procedurë janë ankuar për vlerësimin gjendjes faktike dhe lartësinë e dënimit nga shkalla e parë.

Avokatët e të dënuarve, kanë kërkuar ulje të dënimit dhe shpallje të pafajësisë.

Të akuzuarit për vrasjen e rojës në ‘Bon Vivant’, Masar Gërdovci në rigjykim është dënuar me 18 vjet burgim për vrasje dhe 1,500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje, ndërsa Sherif Krasniqi për vrasje në bashkëkryerje është dënuar me 6 vjet burgim.

Ndryshe në gjykimin e kaluar ku Gërdovci ishte dënuar me  21 vjet e 8 muaj burgim, kësaj radhe Gjykata ka ulur dënimin ndaj tij, kurse për të akuzuarin Krasniqi, i cili ishte dënuar me 4 vjet e 3 muaj, Gjykata ka rritur dënimin.

Avokati Naim Rudari, që mbron Masar Gërdovcin ka kërkuar nga gjykata që çështjen ta kthejë në rigjykim me udhëzimin që të administrohen të gjitha provat me kujdes, pasi që ai pretendon që shumë prova janë zhdukur ose janë fshehur.

“Kërkoj nga gjykata e apelit edhe njëherë të analizojë çështjen dhe të kthehet në rigjykim me udhëzimin që të administrojë me kujdes të gjitha provat e dëshmitarët”, tha Rudari.

Kurse Haxhi Millaku, avokat i të akuzuarit Sherif Krasniqi, ka kërkuar nga gjykata që të mbrojturin e tij ta shpall të pafajshëm me arsyen se ai vetëm është gjendur në vendin dhe kohën e gabuar.

“Gabimi i vetëm i Sherif Krasniqit është se në kohë e vend është gjendur gabimisht, ai nuk del me armë në kafe, ju lus që me profesionalizmin tuaj t’i përkushtoni kohën tuaj dhe të vlerësoni se i mbrojturi im është i pafajshëm”, tha  Millaku.

Kurse pala e dëmtuar, vëllai i të ndjerit i cili ishte pjesëmarrës në seancë, kërkoi nga kolegji gjykues që të shqiptohet dënimi më i lartë.

Vrasja në ‘Bon Vivant’, Gjykata jep vendimin për dy të akuzuarit