Mbrojtja e Rexhep Selimit kërkon informacione nga prokuroria për 12 dëshmitarët e parë - VIDEO

16:30

Të mërkurën është mbajtur konferenca e seancës përgatitore në dhomat e specializuara në Hagë, ku po akuzohen ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që në fillim të seancës, gjyqtari konstatoi se në sallë ishin prezentë edhe ish-krerët e UÇK-së.

Në këtë konferencë përgatitore u morën disa vendime nga ana e trupit gjykues.

Trupi gjykues, me vendim obligoi prokurorinë që për 12 dëshmitarët e parë që do të dëgjohen, t’i dorëzojë mocionet në gjykatë deri në datën 7 shkurt.

Ndërsa mbrojtja mocionet në lidhje me këta dëshmitarë t’i dorëzojnë pranë dhomave të specializuara të gjykatës deri në datën 13 shkurt.

Vendim tjetër që mori trupi gjykues, është se afati për paraqitjen e kërkesave të pjesëmarrësve si viktima në këtë proces do të jetë 15 shkurti.

Gjatë shqyrtimit prokuroria deklaroi se për listën e dëshmitarëve që përmban 323 dëshmitarë do ti duhen diku rreth 700 orë, mirëpo deklaroi se jo të gjithë dëshmitarët do të ftohen në gjykim që të dëgjohen.

Gjithashtu u diskutua edhe për specifikimin e gjendjes faktike në aktakuzë, ku trupi gjykues kërkoi që të bëhet e qartë periudha të cilën prokuroria po e konsideron si periudhë e konfliktit të armatosur.

Prokuroria deklaroi se konflikti i armatosur që i referohet në aktakuzë, nuk ka pasur natyrë ndërkombëtare.

“Konflikti i armatosur që përshkruhet në aktakuzë është i natyrës jo ndërkombëtare” – tha prokuroria.

Rreth kësaj çështje, edhe mbrojtja kërkoi specifikim, meqë edhe në rastet e tjera të gjykuara pranë këtyre Dhomave të Specializuara, konflikti i armatosur në Kosovë dihet se ka përfunduar në qershor të vitit 1999 mirëpo është diskutabile se kur ka filluar.

Sipas mbrojtjes, duhet të qartësohet, meqë të akuzuarit gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, nuk mund të gjykohen për krimet që kanë ndodhur në Kosovë, jashtë periudhës së caktuar me aktakuzë.

Në anën tjetër, prokuroria dhe mbrojtja deklaruan se do të jenë gati që shqyrtimi kryesor i kësaj çështjeje të fillojë më 1 mars të këtij viti.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Ata po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

11:15

Mbrojtja e Rexhep Selimit kërkon informacione nga prokuroria për 12 dëshmitarët e parë

Prokuroria e Gjykatës Speciale ka deklaruar se janë të gatshëm për të dëgjuar 12 dëshmitarët e parë me të filluar gjykimin kryesor që pritet nis më 1 mars, ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Mbrojtja e të akuzuarve kërkuan informacion në lidhje me këta dëshmitarë në mënyrë që të përgatiten dhe shprehën gatishmëri për fillimin e procesit më 1 mars.

Konkretisht, mbrojtja e Rexhep Selimit, kërkoi nga prokuroria informacion në lidhje me këta 12 dëshmitarë, sepse sipas mbrojtjes nëse ndonjëri nga ata dëshmitarë do të paraqes akuza ndaj Selimit, atëherë mbrojtjes do t’i nevojitet kohë.

“Për 12 dëshmitarët e parë kërkojmë që të informohemi nëse do të ketë dëshmitarë që do të shprehin akuzat dhe pretendimet e tyre ndaj zotit Selimi, përndryshe ne jemi gati që të fillojmë më 1 mars apo sa më afër asaj date” – mbrojtja e Selimit.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i viktimave deklaroi se ka për të trajtuar 84 kërkesat e viktimave dhe në bashkëpunim me gjyqtarin 15 shkurti u caktua si datë për dorëzimin e kërkesave për caktimin e statusit të viktimës në këtë rast.

11:08

Thaçi dhe ish-krerët tjerë të UÇK-së në sallë të gjykimit në Hagë

Ka nisur seanca përgatitore nga Gjykata Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në sallë janë prezentë të akuzuarit, ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Prokuroria njoftou se deri në fillim të shkurtit do të parashtrojnë kërkesë për të dëgjuar të paktën pjesën e parë të dëshmitarëve dhe do të përgatisë një paketë me prova materiale.

Në anën tjetër, prokuroria deklaron se mendon se do të jetë gati për shqyrtimin kryesor që të fillojë më 1 mars 2023.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Ata po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Rexhep Selimi dhe Hashim Thaçi në Hagë, 18 janar 2023

Kadri Veseli në Hagë, 18 janar 2023
Jakup Krasniqi në Gjykatë Speciale, 18 janar 2023

Të gjitha raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.