Mbrojtja e Pjetër Shalës kërkon aktakuzën e ndryshuar nga ZPS-ja

Ndaj Pjetër Shalës i akuzuar nga Prokuroria e Specializuar sot u mbajt seanca e katër përgatitore.

Në seancën e udhëhequr nga gjykatësi i procedurës paraprake Nikola Giju, sot palët u deklaruan rreth dorëzimit të provave në këtë proces penal.

Sa i përket provave nga rregulla 102,103 dhe 107 të Rregullores së Punës së Gjykatës Speciale mbrojtja deklaroi se i kane pranuar megjithatë ka dokumente që ende nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe.

Janë rreth 40 dokumente të papërkthyera të cilat përfshijnë raportet e eksperteve të cilat janë shumë të rëndësishme sipas rregullës 103, tha bashkë mbrojtësi i Shalës Muhamed Hedi Auini.

Mbrojtja e Shalës avokati Zhan-Lui Zhilisen ngriti shqetësimin se ende nuk kanë marrë aktakuzën e ndryshuar dhe të redaktuar, po ashtu theksuan faktin se në ueb faqen e gjykatës speciale gjendet vetëm aktakuza e pandryshuar e cila e cenon Shalën.

Pjetër Shalës me 11 nëntor iu vazhdua paraburgimi sipas kërkesës së ZPS së datës 27 tetor.

Në aktakuzën e konfirmuar më 12 qershor 2020 e të redaktuar, më 15 prill 2021, prokuroria pretendon se Shala kishte kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.Pjetër Shala së bashku me persona të tjerë, si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, dyshohet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.

Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndalurit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.

Sipas prokurorisë personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Në aktakuzë përshkruhen pretendimet se Pjetër Shala, Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi kishin marrë në pyetje dhe rrahur një person me shufër metalike, shkop bejsbolli dhe armë.

Madje aty thuhet se të ndaluarit ishin rrahur mizorisht edhe pse ishin të plagosur me armë dhe njëri nga ta pasi nuk kishte pasur ndihmë mjekësore kishte ndërruar jetë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pos të tjerash pretendon se si pasojë e keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, shumë viktima humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash dhe u mbuluan me gjak.

Sipas prokurorit të specializuar, Shala ngarkohet me akuza për vrasje të paligjshme, torturë, ndalim arbitrar dhe trajtim mizor.