Mbrojtja e Gucatit: Këtu po na thuhen gënjeshtra

Në seancën ndaj dy  krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, mbrojtja e Gucatit tha se në Gjykatën Speciale po iu thuhen gënjeshtra dhe se asnjë nga materialet që duhej  t’i dorëzoheshin mbrojtjes nga Prokuroria nuk janë përfshirë në listë.

Ai kërkoi nga Gjykata që të ndryshojë afatin për dorëzimin vullnetar të dosjes paraprake nga mbrojtja.

“Në kërkojmë nga Gjykata që ta ndryshojë këtë afat për dorëzimin vullnetar të dosjes paraprake të mbrojtjes, ne do të mund ta dorëzojmë dosjen tonë paraprake më 12 korrik”, tha avokati Jonathan Elystan Rees.

Mbrojtja përmendi 18 mijë faqe materiale që iu janë dhënë t’i shqyrtojnë.

Dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Gucati e Haradinaj po vazhdojnë të mbahen në paraburgim.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ishin arrestuar më 25 shtator në Prishtinë, e më pas ishin transferuar në Hagë.

Ata ishin arrestuar pasi dyshoheshin se kishin ndërmarrë veprime për pengim të punës së Dhomave të Specializuara, duke shpërndarë informacione konfidenciale dhe frikësuar dëshmitarët.

Pak muaj pas arrestimit, prokurorët e specializuar, kishin ngritur aktakuzë ndaj tyre, e cila ishte konfirmuar më 14 dhjetor të vitit 2020.

Hysni Gucati në seancën e parë të paraqitjes së tij, ishte deklaruar i pafajshëm ndërsa Nasim Haradinaj nuk kishte dhënë ndonjë deklaratë në lidhje me fajësinë apo pafajësinë e tij.

Sipas aktakuzës, në prill dhe shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj bënë deklarata akuzuese për dëshmitarët që bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe për persona tjerë.

Prokuroria pretendon se këta persona ishin quajtur gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë, nga dy krerët e OVL të UÇK-së.

Përpos kësaj pike, të dy akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike të cilat ndërlidhen me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe Prokurorisë së Specializuar.

Përveç shpërndarjes, ata akuzohen se inkurajuan të tjerët të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Gucati e Haradinaj organizuan së bashku me disa persona tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik, përmes thirrjes së konferencave për media.

Në këto konferenca, siç thuhet në aktakuzë, mbi tavolina u ekspozuan dokumentet e Dhomave të Specializuara.

Prokuroria i ngarkon ata për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Seanca e radhës ndaj Gucatit e Haradinajt pritet të mbahet sot