Mbrojtja Civile e Sirisë: Dhjetëra mijëra familje aktualisht të pastreha në të gjithë Sirinë veriperëndimore

Qindra mijëra njerëz në Siri kanë mbetur të pastrehë në mes të dimrit pas tërmeteve vdekjeprurëse të së hënës. Në të gjithë Sirinë veriperëndimore – ku temperaturat janë nën zero – shumë njerëz po qëndrojnë në strehimore të improvizuara, xhami dhe në rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Mousa Zidane, një vullnetar me “Helmetat e Bardha”, të njohur zyrtarisht si Mbrojtja Civile e Sirisë, deklaroi për CNN të enjten se si pasojë e tërmeteve, “dhjetëra mijëra familje janë aktualisht të pastreha në të gjithë Sirinë veriperëndimore”.

“Qindra familje në Idlib po flenë në veturat e tyre, në parqe publike dhe rrugë”, pasi shtëpitë e tyre janë shkatërruar, tha Zidane. “Edhe ata që kanë ende shtëpi, kanë frikë ta kalojnë natën brenda tyre, ata për një kohë të shkurtër shkojnë në shtëpitë e tyre gjatë ditës, pastaj largohen natën nga frika [nga tërmetet e mëtejshme]”.

Zidane shton se moti i ftohtë po e shton katastrofën, pasi ekipet e shpëtimit po përpiqen t’i nxjerrin njerëzit nga nën rrënoja.

“Kemi nevojë për ndihmë në kërkimin e të mbijetuarve dhe për t’i tërhequr të vdekurit nga ndërtesat e shembura. Kemi nevojë urgjente për t’i ndihmuar familjet e pastreha duke u siguruar strehë, ushqim, rroba dhe gjëra bazike”, tha Zidane.

Njerëzit kanë nevojë për shtëpitë e tyre dhe të “tërheqen dhe të varrosen”, të vdekurit e tyre, shton Zidane.

Kur u pyet për gërmuesit, Zidane tha se ata nuk ishin fillimisht të disponueshëm, por një numër i kufizuar tani po punon për t’i pastruar rrënojat. “Nuk mjafton për t’a mbuluar të gjithë zonën. Kemi nevojë për më shumë”, tha ai.

Zidane tha se ka qasje të kufizuar në ndihma që nuk imbulon nevojat e njerëzve në Sirinë veriperëndimore, pjesa më e madhe e së cilës kontrollohet nga rebelët antiqeveritarë në mes të një krize humanitare që rezulton nga lufta civile më shumë se dhjetëvjeçare e Sirisë.

“Po ndihemi, përsëri, sikur jemi të braktisur nga bota. Po ndihemi sikur bota na zhgënjeu edhe një herë, sepse askush nuk erdhi të na dalë në ndihmë me katastrofën tonë”, thotë Zidane përmes një video-postimi në Twitter./CNN

 

Përgatiti: Nuhi Shala