Mbrohen në heshtje babë e bir, të akuzuar për shpëlarje parash

Shahadin dhe Sefer Hasani  janë mbrojtur në heshtje sot në Gjykatën e Prishtinës për akuzën për shpëlarje parash.

“Mbes pranë deklaratave të dhëna në Prokurori dhe Polici si dhe për shkaqe shëndetësore du mu mbrojtje në heshtje”, tha Shahadin Hasani.

“Rri pranë asaj deklarate që e kam dhënë du mu mbrojtë  në heshtje”, tha shkurt Sefer Hasani.

Në fillim të seancës është dëgjuar edhe eksperti Xhevdet Krasniqi i cili e ka përpiluar ekspertizën në këtë çështje penale.

Krasniqi ka treguar se gjatë ekspertizës ka gjetur vetëm burime të ligjshme për të ardhurat e dy të pandehurve.

“Në ekspertizë dhe në gjithë shkresat e lëndës të cilat i kam pasur si ekspert, kam gjetur dhe kam konstatuar vetëm burimet e ligjshme të cilat kanë rezultuar nga shitblerja, ndërsa në asnjë dokument nuk vërtetohet ndonjë burim i cili nuk mbulohet me transaksion hyrës”, tha eksperti Krasniqi.

Tutje eksperti Krasniqi ka treguar se dy të akuzuarit kanë pasur të hyra të mjaftueshme për blerjen e banesave.

“Unë në bazë të ekspertizës dhe shkresave të lëndës kam konstatuar se edhe me rastin e blerjes së banesës nga ana e Shahadinit ka pasur të hyra të mjaftueshme valide te dëshmuara të cilat janë dhënë në ekspertizë dhe të cilat janë vërtetuar edhe në raport të kontrollit të ATK-së”, shtoi tutje Krasniqi.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Shahadin Hasani gjatë vitit 2015, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës e burimit të pasurisë së përfituar me aktivitet kriminal, i cili aktivitet ishte i ndërlidhur me veprën penale – narkotikët, dhe me qëllim që kjo pasuri e kundërligjshme të duket si e ligjshme, me paratë të cilat i ka përfituar nga aktiviteti kriminal ka blerë një banesë në Prizren, me sipërfaqe 68 m2, në vlerë prej 59,600.00.

Të pandehurin Sefer Hasani, aktakuza e ngarkon se gjatë vitit 2015, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës e burimit të pasurisë së përfituar me aktivitet kriminal, i cili aktivitet ishte i ndërlidhur me veprën penale – narkotikët, dhe me qëllim që kjo pasuri e kundërligjshme të duket si e ligjshme, ka blerë banesë sipas kontratës mbi bashkimin e mjeteve për ndërtimin në sipërfaqe prej 67.80 m2, me çmim në vlerë 44,070.00 euro, si dhe kompensim një veturë në vlerë 20.000 euro.

Dosja e Prokurorisë: Prizrenasit blenë banesa me para të fituara nga droga