Foto: The Royal Family, Facebook
Mbreti Charles III: Nënë e dashur, faleminderit!
Mbreti Charles III foli për “dhimbjen e madhe” pas humbjes së nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeth II, e cila vdiq të enjten.
Në fjalimin e tij të parë drejtuar kombit si Mbret, ai tha se i ka borxh nënës së tij për dashurinë, mirëkuptimin dhe shembullin që e dhënë.
“Atë premtim [të Mbretëreshës] për shërbimin e përjetshëm ndaj jush, po ju jap prapë të gjithëve sot”, tha Mbreti.
Charles falënderoi të gjithë për ngushëllimet dhe mbështetjen, dhe tha se “ato kanë aq shumë vlerë saqë nuk përshkruhet me fjalë”.
“Nënë e dashur, në udhëtimin tënd të fundit për t’u bashkuar me babanë e dashur, dua ta them thjesht këtë: faleminderit”, u shpreh Charles.
Pas fjalimit të Mbretit Charles III, në Katedralen e Shën Palit në Londër u mbajt ceremonia përkujtimore për Mbretëreshën.
Në këtë ceremoni morën pjesë figura të larta shtetërore, mes tyre edhe kryeministrja e Britanisë, Liz Truss.
“Ne nuk jetojmë për veten tonë dhe nuk vdesim për veten tonë; nëse jetojmë, jetojmë për Zotin, dhe nëse vdesim, vdesim për Zotin… pra jemi të Zotit”, tha Truss.
Mbretëresha vdiq në Kështjellën e Balmoralit në Skoci, në moshën 96-vjeçare.
Bota nderon Mbretëreshën Elizabeth II
Liderët botërorë dhe qytetarët në mbarë botën nderuan Mbretëreshën Elizabeth II.
Mijëra njerëz u mblodhën në Londër afër Pallatit Bakingam, duke vendosur aty kurora me lule.
Skena të ngjashme u panë edhe pranë shtëpisë së Mbretëreshës në Kështjellën Uindsor dhe kështjellat gjetkë në Mbretërinë e Bashkuar, për të nderuar monarken që qëndroi në fron për 70 vjet.
Flamujt u ulën në gjysmë të shtizës në shumë vende të botës, përfshirë Uashingtonin, Berlinin e Brukselin, ndërsa në Paris, Kulla Ajfell fiku dritat në mesnatë në nderim të Mbretëreshës.
Liderët botërorë çmuan lart kontributin e Mbretëreshës Elizabeth, qëndrueshmërinë dhe sensin e saj të humorit.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ajo ishte “një mbretëreshë me zemër të mirë” dhe një “mike e Francës”.
Presidentët amerikanë kujtojnë Mbretëreshën
Presidenti amerikan, Joe Biden – që për herë të parë takoi Mbretëreshën 40 vjet më parë – tha se ajo ishte “më shumë se një monarke – ajo definoi një epokë”.
Duke kujtuar vizitën e tij më 2021 në Mbretërinë e Bashkuar, Biden tha se ajo “na magjepsi me zgjuarsinë e saj, na emocionoi me mirësinë dhe ndau me ne mençurinë e saj”.
Mbretëresha Elizabeth II, gjatë mbretërimit të saj, kishte takuar 13 presidentë të SHBA-së.
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, tha se Mbretëresha “magjepsi botën” me “mbretërimin e saj me mirësi, me elegancë dhe me një punë të palodhur etike”.
Edhe ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tha se “nuk do të harrojë kurrë miqësinë e saj, mençurinë dhe sensin e mrekullueshëm të humorit”.
“Çfarë zonje madhështore dhe e bukur ishte ajo – nuk kishte asnjë si ajo”, tha Trump në platformën e tij online, Truth Social.
Ish-presidenti tjetër amerikan, George W Bush, reflektoi për takimin e tij me Mbretëreshën dhe qentë e saj korgi. Ai e përshkroi Mbretëreshën si njeri “me intelekt të madh, hijeshi dhe zgjuarsi”.
Në Kanada – ku Mbretëresha Elizabeth ishte kryetare shteti – kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha se ajo kishte “një dashuri të madhe për kanadezët”.
“Në një botë komplekse, vendosmëria dhe qëndrueshmëria e saj solli rehati për të gjithë ne”, tha ai, duke shtuar se do t’i mungojnë bisedat me të.
“Ajo ishte një ndër njerëzit e mi më të preferuar në botë dhe do të më mungojë”, tha Trudeau, duke mbajtur lotët.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se “përkushtimi i saj për pajtimin gjermano-britanik pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, do të mbetet i paharruar”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, që ka takuar Mbretëreshën disa herë, i shprehu “ngushëllimet më të thella” Mbretit Charles III, trashëgimtarit të fronit britanik.
“Ngjarjet më të rëndësishme në historinë e re të Mbretërisë së Bashkuar janë të lidhura me emrin e Mbretëreshës. Për shumë dekada, Mbretëresha gëzoi dashuri dhe respekt, por edhe autoritet në skenën botërore”, tha Putin.
Rusia është nën sanksione të shteteve perëndimore, përfshirë edhe Britaninë, për shkak të luftës në Ukrainë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se është “pikëlluar thellë” kur ka marrë lajmin për vdekjen e Mbretëreshës britanike.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “ndjeshmëria dhe aftësia e Mbretëreshës për t’u lidhur me çdo gjeneratë që kalonte, ishte një shembull i udhëheqjes së vërtetë”.
Në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani tha se “ajo ishte një udhëheqëse e vërtetë dhe një grua e jashtëzakonshme”.
“Përkushtimi, puna dhe përulësia e saj janë një frymëzim për të gjithë ne, veçanërisht në këto kohë të vështira”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Familjet mbretërore shprehin ngushëllime
Mbreti Willem-Alexander i Holandës – që është kushëriri i pestë i Mbretëreshës – tha se ai dhe Mbretëresha Maxina e kujtojnë Mbretëreshën britanike si person “të palëkundur dhe të mençur”.
Mbreti i Suedisë, Carl XVI Gustaf – po ashtu një kushëri i largët i Mbretëreshës Elizabeth – tha se ajo ishte “gjithmonë një mike e dashur e familjes dhe një lidhje e çmueshme me historinë që ndajnë familjet tona”.
Ndërkaq, në Belgjikë, Mbreti Philippe dhe Mbretëresha Mathilde, thanë se ajo ishte “një personalitet i jashtëzakonshëm, e cila gjatë mbretërimit të saj tregoi dinjitet, kurajë dhe devocion”.
Në Arabinë Saudite, Mbreti Salman dhe Princi i Kurorës bin Salamn, kanë dërguar telegrame ngushëlluese, duke e cilësuar Mbretëreshën britanike si model për udhëheqje.
Mbetëresha Elizabeth II ishte monarkja më jetëgjatë në Mbretërinë e Bashkuar.
Ajo mori fronin në vitit 1952. Trashëgimtar i fronit është djali i saj i madh, Charles, ish-Princ i Uellsit, i cili do të njihet me emrin Mbreti Charles III./REL