Mbretëria e Bashkuar sugjeron që Putin të gjykohet për krime lufte

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha të martën se presidenti rus Vladimir Putin mund të përballet me ndjekje penale për krime lufte.

Sekretari britanik i drejtësisë Dominic Raab tha gjatë një interviste për BBC se për Putinin, si dhe për gjeneralët dhe ushtarët rusë, “ekziston një rrezik shumë real që ata të përfundojnë në bankën e të akuzuarve të një gjykate në Hagë”.

“Nëse dhe kur [Gjykata Penale Ndërkombëtare] vendos të ndërmarrë veprime, jam i sigurt se Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët do të duan t’i mbështesin ata praktikisht, logjistikisht.”

Raab tha se Britania dhe aleatët e saj do të presin aq kohë sa të duhet për ta sjellë çdo shkelës në gjykatë.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë së qytetit verilindor të Ukrainës, Kharkiv, tha se granatimet ruse kishin shkatërruar një shkollë. Të paktën 11 civilë vdiqën në sulm, sipas kryebashkiakut të Kharkiv.

Për më tepër, Amnesty International raportoi të dielën se municionet kasetë kishin goditur dy ditë më parë një qendër parashkollore në qytetin verilindor të Ukrainës, Okhtyrka, duke vrarë tre civilë, përfshirë edhe një fëmijë. Amnesty tha se sulmi “[duket] se ishte kryer nga forcat ruse”./DW